Ankaraja: Luftanija ruse shkeli Konventën e Montrosë

Ministri turk i Transportit, Detarisë dhe Komunikacionit, Binali Yildirim, deklaroi se raketa e mbajtur në shpatulla nga një ushtar në luftanijen ruse, që po kalonte Grykën e Bosforit në Stambollit, përbën shkelje të Konventës së Montrosë mbi Regjimin e Ngushticave Detare.

Ankaraja: Luftanija ruse shkeli Konventën e Montrosë

Binali Yildirim theksoi se mbajtja në pozicion lëshimi i një rakete tokë-ajër nga ushtari rus gjatë kalimit të ngushticës nuk është një situatë e tolerueshme dhe konsiderohet një element i qartë provokues.

Duke sqaruar se të gjitha anijet tregtare kanë të drejtën e kalimit të pafajshëm nga ngushticat, Yildirim nënvizoi se këtë të drejtë mund ta përdorin të gjithë për sa kohë që nuk paraqesin qëndrime dhe sjellje, që do të dëmtonin vendin.

Por, vijoi ministri turk i Transportit, Detarisë dhe Komunikacionit, do të merren padyshim të gjitha masat e duhura nëse bëhet fjalë për një element të qartë kërcënues apo provokues.

“Të jeni të sigurt se Turqia është e aftë të marrë masat e nevojshme në rast se paraqiten provokime dhe abuzime flagrante”, tha ai.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, ishte shprehur më parë, gjatë një daljeje publike në lidhje me këtë çështje, se bëhet fjalë për një kalim provokues dhe kanosje.

“Demonstrimi i armëve nga luftanijet ruse është provokim. Kjo nuk është një qasje e drejtë. Shpresoj të mos përsëritet më”, ishin këto fjalët me të cilat shefi i diplomacisë turke vlerësoi veprimin e ushtarit në bordin e luftanijes ruse.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme