Turqia: S'duam përshkallëzim të mëtejshëm të çështjes me Rusinë

Zv/kryeministri dhe njëherësh zëdhënësi i qeverisë turke, Numan Kurtulmus, deklaroi se nuk dëshirojnë që të përshkallëzohet më tepër çështja ndërmjet Turqisë dhe Rusisë.

Turqia: S'duam përshkallëzim të mëtejshëm të çështjes me Rusinë

Numan Kurtulmus tha në një prononcim për një televizion privat se edhe pse Turqia gjendet përballë një krize të rëndësishme dhe serioze, kjo nuk është një situatë e pakapërcyeshme.

“Ne jemi dy vende fqinje, dy vende partnere dhe madje me partneritet strategjik. Ne po përpiqemi që të bëjmë çmos për ta zgjidhur këtë krizë dhe që t’i mbajmë të hapura dyert për dialog”, u shpreh ndër të tjera zv/kryeministri Kurtulmus.

Ai shtoi se ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov dhe shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavusoglu, do të takohen në kuadër të samitit të OSBE-së në Beograd, në datat 3-4 dhjetor, për të realizuar kështu kontaktin e parë ndërmjet dy vendeve në këtë proces krize; ndërsa theksoi se po punojnë në mënyrë të hollësishme që Turqia mos të dëmtohet nga sanksionet ekonomike të Rusisë.

Pasi vuri në pah se zhvillimi ndërmjet Turqisë dhe Rusisë nuk është një ngjarje e drejtpërdrejtë mes dy vendeve, por një pasqyrim i krizës siriane në marrëdhëniet turko-ruse, zv/kryeministri Kurtulmus tha: “Shpresojmë që të ulim tensionin, të mbajmë hapur kanalet e dialogut dhe që të takohemi sa më parë ballë për ballë, në mënyrë që të negociojmë si të mund t’i eliminojmë këto rezultate.”


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme