The Times-Davutoglu: Rusia të fokusohet mbi armikun e përbashkët

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, deklaroi se rrëzimi i avionit luftarak rus në hapësirën ajrore turke nuk ishte dhe nuk është një akt kundër një vendi të caktuar.

The Times-Davutoglu: Rusia të fokusohet mbi armikun e përbashkët

“Turqia veproi sipas rregullave aktuale të angazhimit për të mbrojtur integritetit e territoreve nën sovranitetin e saj dhe masat, që ne kemi për mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore, nuk do të ndryshojnë”, vlerësoi shefi i Ankarasë zyrtare në një artikull të shkruar nga vetë ai dhe të botuar sot në gazetën britanike “The Times”.

Në këtë artikull, publikuar nga prestigjiozja angleze nën titullin “Rusia duhet të përqendrohet mbi armikun e përbashkët”, Davutoglu shkruan se vazhdojnë konsultimet e nevojshme për uljen e tensionit në lidhje me çështjen e rrëzimit të avionit rus nga pilotët turq.

“Masat për mbrojtjen e territoreve tona nuk do të ndryshojnë, por Turqia do të punojë me Rusinë dhe aleatët tanë për të ulur tensionin”, nënvizon ai.

Duke tërhequr vëmendjen se shoqëria ndërkombëtare duhet me doemos të përqendrohet mbi luftën kundër DAESH-it, garantimin e të ardhmes së Sirisë dhe mbi gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale të emigrantëve; kreu i ekzekutivit turk tha: “Në rast nuk arrijmë dot ta bëjmë këtë gjë, kjo do të ndihmonte DAESH-in për të përhapur ideologjinë e tij të mbushur me urrejtje.”

Më tej, Davutoglu sqaroi se moskokëçarja ndaj krizave në Lindjen e Mesme nuk është më një opsion dhe i bëri thirrje të gjithë botës “për të rishikuar ecurinë e bashkëveprimit”.

Kryeministri turk potencoi se përhapja e DAESH-it në Siri dëshmon dështimin e shoqërisë ndërkombëtare për t’u fokusuar në luftën kundër organizatës terroriste në fjalë, pasi në vend të saj po bombardohen grupet opozitare, që luftojnë ndaj regjimit të Esadit.

Po ashtu, Davutoglu shkruan se qëllimi i skenaristëve të terrorit në sulmet e Parisit, Ankarasë dhe Bejrutit, por edhe në rastin e rrëzimit të avionit rus të pasagjerëve në Gadishullin e Sinasë, është groposja e trajtimit humanist ndaj emigrantëve dhe prishja e harmonisë ndërmjet besimeve të ndryshme fetare në vendet perëndimore.

Ai vuri në pah se Turqia renditet përkrah atyre, që mbrojnë një vizion humanitar për Evropën.

“Kërkesa jonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është me të vërtetë një tregues i rëndësisë së premtimit dhe angazhimit tonë në lidhje me këtë çështje. Kjo duket qartë në zgjidhjet, që ne sjellim për krizën e refugjatëve”, tha shefi i qeverisë turke.

Artikullin të tij në gazetën “The Times” Kryeministri Davutoglu e mbyll me fjalët: “Sot është dita për të qëndruar të patundur kundër DAESH-it. Bashkimi i fuqive të ndryshme të SHBA-ve, BE-së, Rusisë, Turqisë dhe të tjerëve, për një veprim dhe vullnet kolektiv, mund ta përmbysë dhe do ta përmbysë rrjedhën e ngjarjeve.”


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme