A do të ndërmarrë Turqia operacion tokësor kundër DAESH-it?

Përgjigjja në lidhje me këtë pyetje erdhi nga dy zërat më të fuqishëm të shtetit, Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe Kryeministri Ahmet Davutoglu. Ankaraja i ndezi dritën e gjelbër operacionit tokësor.

A do të ndërmarrë Turqia operacion tokësor kundër DAESH-it?

Në përgjigje të pyetjes “A do të ndërmarrë Turqia operacion tokësor kundër DAESH-it?”, Presidenti Erdogan tha se “ka disa zhvillime pozitive qoftë në lidhje me zonën e ndalimfluturimit, qoftë dhe për operacionin tokësor”.

Pasi theksoi se Turqia bën dhe do të bëjë hapa të rëndësishme jo vetëm në mënyrë individuale, por edhe kolektivisht, kreu i shtetit turk vijoi me fjalët: “Disa avionë janë dislokuar në Incirlik. Nëse nevojitet, do të kenë shansin të përdorin edhe bazat e tjera. Sa i përket kësaj çështjeje, jemi shumë të vendosur. Askush nuk mund të kalojë në anën perëndimore të Eufratit. Pak kohë më parë tentuan dhe morën përgjigjen e merituar. Ndjeshmëria jonë do të vijojë shumë më ndryshe. Këtë gjë duhet ta dijë e gjithë bota.”

Një mesazh vendosmërie rreth çështjes në fjalë ka mbërritur edhe nga Kryeministri Davutoglu.

“Tashmë jemi në një prag kritik në lidhje me Sirinë. Jemi gati të ndërhyjmë nga toka dhe ajri, pa asnjë mëdyshje, kundër atyre që kërcënojnë Turqinë”, tha ai, duke ndezur kështu dritën e gjelbër për një operacion tokësor të përbashkët kundër DAESH-it.

Kreu i Ankarasë zyrtare vuri theksin gjithashtu mbi vendosmërinë për të luftuar kundër terrorit, duke sqaruar se mund të përfshihen brenda një strategjie të integruar.

“Nëse ka diçka që kërcënon Turqinë, qoftë regjimi i Esadit, qoftë DAESH-i apo YPG-ja, ne do t’u përgjigjemi të gjithave njëlloj. Në rast se ka një strategji të integruar dhe brenda kësaj strategjie të integruar kanë rol Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha vendet, atëherë atë rol e marrim përsipër edhe ne. Nga toka apo nga ajri, për ne nuk paraqet ndonjë problem”, u shpreh ai.

Teksa e gjithë vëmendja ishte përqendruar në përgjigjen e pyetjes “A do të ndërmarrë Turqia operacion tokësor kundër DAESH-it?”, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, realizoi biseda telefonike të ndara me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan dhe Kryeministrin Ahmet Davutoglu.

Çështja kryesore e bisedave telefonike ishte Siria, por liderët ranë dakord për rritjen e bashkëpunimit aktual në luftën kundër DAESH-it.

Biseda Erdogan-Obama zgjati rreth 45 minuta dhe në fotografinë, që u shpërnda nga Presidenca në disa rrjete sociale, binte në sy një skulpturë e vogël e simbolit “Rabia”, vendosur mbi tavolinën e punës së kreut të shtetit turk, emblemë e revoltës kundër grushtit të shtetit në Egjipt. Kurse në bazën e saj shkruhej: “Një komb, një flamur, një atdhe, një shtet!”


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme