Ankaraja: Do të ndërhyjmë në vendin dhe kohën e duhur

Turqia, kryesuese e radhës e G20-s dhe mikpritëse e samitit të liderëve të këtij grupi, që do të mbahet në Antalia më 15-16 nëntor, po përgatitet t’u mëshojë krizës siriane, problemit të emigrantëve dhe çështjes së terrorit.

Ankaraja: Do të ndërhyjmë në vendin dhe kohën e duhur

Falë përligjjes së të gjitha paralajmërimeve të saj të derisotme në lidhje me regjimin e Esadit dhe organizatat terroriste, këtë herë Turqia do të ulet në tavolinën e bisedimeve me një vendosmëri më të madhe.

Ndërsa vendet perëndimore, për shkak se nuk arritën të kuptojnë në kohë rëndësinë e paralajmërimeve të Turqisë, kanë rënë në pozitën e përgjegjësve kryesorë të krizës gjithnjë e më të pazgjidhshme në Siri, të dramës së emigrantëve dhe të terrorit.

Duke marrë parasysh të gjithë këta faktorë, Ankaraja zyrtare do të përcjellë mesazhe të qarta për aleatët e saj dhe fuqitë e tjera në Samitin e G20-s.

“Nëse propozimeve të Turqisë do t’u ishte kushtuar më shumë rëndësi që prej fillimit, kriza dhe drama humanitare në Siri nuk do të kishte mbërritur në pikën e sotme, ndërsa organizatat terroriste DAESH dhe PKK nuk do të ishin fuqizuar kaq shumë. Paralajmërimet tona janë përligjur. Zhvillimet e mëtejshme nuk do t’i shikojmë nga tribuna, por do të ndërhyjmë në vendin dhe kohën e duhur. Punën tonë do ta kryejmë vetë!”

Është ky mesazhi që Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe Kryeministri Ahmet Davutoglu do t’iu japin homologëve të tyre, qoftë në takimet bilaterale, qoftë dhe në mbledhjet, që do të mbahen në kuadër të Samitit të G20-s.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme