Jep rezultat nisma e Turqisë, SHBA tërheqin mbështetjen për YPG

Ka dhënë rezultat nisma e Turqisë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos dërgojnë më armë dhe municione për YPG-në, krahu ushtarak i PYD-së, e cila është zgjatim i organizatës terroriste PKK në Siri.

Jep rezultat nisma e Turqisë, SHBA tërheqin mbështetjen për YPG

“Tashmë nuk sigurojmë më armë apo municione për YPG-në”, deklaroi sot Koloneli Steve Warren, zëdhënës i Operacionit Vendosmëria e Natyrshme (Operation Inherent Resolve), që Forcat e Armatosura të SHBA-ve ndërmarrin në Irak dhe Siri kundër organizatës terroriste DAESH.

Pjesëmarrës nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë me video nga Bagdadi në konferencën e sotme për shtyp të Pentagonit, Koloneli Warren iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me nismat në fjalë të Turqisë.

“Ne i kuptojmë shqetësimet e shprehura më parë nga Turqia. Ajo është anëtare e NATO-s dhe aleat i ngushtë i yni në luftën kundër DAESH-it. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me palën turke. Armët, që kemi lëshuar më parë nga ajri, ishin për Koalicionin Arab të Sirisë. Që sot e tutje, armët dhe municionet, që do dërgohen në të ardhmen, do t’u shkojnë opozitarëve sirianë të udhëhequr nga arabët”, theksoi ai.

Konfirmimi për të mos siguruar më armë dhe municione për YPG-në erdhi gjithashtu nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes.

Ndërsa zëdhënësi i Ministrisë turke të Punëve të Jashtme, Tanju Bilgiç, komentoi se “Ankaraja i kishte përcjellë Uashingtonit shqetësimet e saj në lidhje me çështjen në fjalë dhe tani ka mbërritur kjo deklaratë e kënaqshme nga SHBA-të”.

Zëdhënësi Bilgiç nënvizoi se Turqia mund të marrë çdolloj mase të nevojshme lidhur me luftën kundër DAESH-it.

Ai sqaroi gjithashtu se destrojeri amerikan, “USS Donald Cook”, që ka mbërritur në Mesdheun Lindor, do të jetë gjithnjë i pranishëm në rajon për mbrojtjen e Turqisë në rast nevoje.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme