Turqi – Simpatizantët e AK Partisë festojnë fitoren

Në shumë qytete të Turqisë, por jo vetëm, edhe në vende të tjera të botës qytetarët janë tubuar për të manifestuar fitoren e Partisë AK, e cila mori rreth 50% të votave në zgjedhjet legjislative të 1 nëntorit.

Turqi – Simpatizantët e AK Partisë festojnë fitoren

Sipas rezultateve jozyrtare Partia më e madhe në Turqi, AK Parti ka siguruar qeverisjen e vetme duke siguruar një fitore të madhe. Pas këtyre rezultateve qytetarë të shumtë në të gjitha qytetet e Turqisë, por jo vetëm, pasi edhe jashtë vendit kanë dalë në rrugë duke festuar për këtë fitore.

Në shumë qytete të Turqisë si, kryeqytetin Ankara, Stamboll, Konya, Kayseri, Bursa, Izmir dhe qytete të tjera të mëdha në vend pavarësisht temperaturave të ulëta vazhdojnë të mbahen manifestime të madhe si rrjedhojë e këtyre rezultateve.

Qytetarët po festojnë me forma nga më të ndryshmet, përmes autokolonave dhe fishekzjarrëve, duke i dhënë një tjetër ngjyrë rrugëve dhe shesheve të vendit.

Në Turqi sot u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Mbi 99 për qind të votave tashmë janë numëruar. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) ka siguruar një fitore të madhe. Nga këto rezultate, AK Partia ka marrë 49.4 për qind me 316 deputetë.

Partia më e madhe e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP) deri më tani ka 25.35 për qind të votave dhe do të përfaqësohet në kuvend me 134 deputetë.

Partia tjetër e opozitës, Lëvizja Nacionaliste (MHP) ka marrë 11.97 për qind të votave me 42 deputetë, ndërsa Partia e Popujve Demokratikë (HDP) ka marrë 10.39 për qind të votave dhe ka fituar 59 mandate në kuvendin e ri.

Ndërkohë 3.86% kanë marrë partitë e tjera të vogla, përqindje kjo që nuk përkthehet në asnjë mandat deputeti.

Parlamenti turk numëron në total 550 deputetë. Shumica e nevojshme për të formuar qeverinë është sa gjysma e kuvendit, 276 mandatesh parlamentare.

Në këto zgjedhje morën pjesë gjithsej 16 parti politike dhe 21 kandidatë të pavarur, ndërsa AK Parti që nga themelimi i saj në gusht të vitit 2001 e deri më sot i ka fituar të gjitha zgjedhjet (legjislative dhe vendore) të mbajtura në vend.

Zgjedhjet parlamentare në Turqi mbahen çdo katër vjet. Procesi zgjedhor është i bazuar në bazë të 81 njësive zgjedhore, në po aq qytete të mëdha, kurse numri i përfaqësuesve nga çdo qytet vjen sipas kuotave të caktuara në bazë të regjistrimit të popullsisë. Stambolli siguron më së shumti përfaqësues- 88, pastaj Ankaraja 32, Izmiri 26, Bursa 18, ndërsa Konja 14 deputetë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme