Zgjidhja e krizës siriane, takim SHBA-Rusi-Turqi-Arabi Saudite

Ministrat e Punëve të Jashtme të Turqisë, SHBA-ve, Rusisë dhe Arabisë Saudite u takuan mbrëmjen e të enjtes për të biseduar rreth një zgjidhjeje politike të krizës në Siri.

Zgjidhja e krizës siriane, takim SHBA-Rusi-Turqi-Arabi Saudite

Ky takim, që u parapri me një bisedë mes shefit të diplomacisë amerikane, John Kerry dhe homologut iranian, Mohammad Javad Zarif, do të vazhdojë sot në kryeqytetin austriak me një takim tjetër më të zgjeruar me diplomacitë e tjera rajonale dhe evropiane, për të disktuar për perspektivat për një zgjidhje në Siri, ku lufta civile ka shkaktuar më shumë se 250.000 të vdekur që prej vitit 2011.

Bisedimet ndërkombëtare, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin në Siri, filluan të enjten në Vjenë me një takim mes sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry dhe homologut iranian, Mohammad Javad Zarif.

Dy krerët, vendet e të cilëve nuk mbajnë marrëdhënie diplomatike zyrtare, por që kanë zhvilluar takime të herëpashershme në momentin e negociatave, që përfunduan me arritjen e një marrëveshjeje për programin bërthamor iranian, u takuan në kryeqytetin austriak duke shënuar një avancim në qëndrimin amerikan, që deri në atë kohë refuzonte për Teheranin një vend në tryezën e negociatave për Sirinë.

Është hera e parë që Irani, shtet ky që mbështet ushtarakisht dhe financiarisht regjimin e Esadit, është i pranishëm në një takim ndërkombëtar për Sirinë.

“Në vitin 2012, ky vend nuk mori pjesë në konferencën e ashtuquajtur Gjeneva-1 dhe ftesa e tij për të marrë pjesë në Gjeneva-2 u tërhoq nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, për shkak të kundërshtimit të SHBA-ve dhe Arabisë Saudite”, kujtoi zëdhënësi i diplomacisë iraniane.

“Ne kemi arritur më në fund të mblidhemi të gjithë, pa përjashtim, rreth të njëjtës tryeze, aktorët kryesorë, anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Irani, Egjipti, vendet e Gjirit, Iraku”, theksoi shefi i diplomacisë ruse, Sergey Lavrov.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme