Automobili i parë turk shitet për 1.5 milionë euro

Automobili i parë prodhim vendor i është shitur një afaristi turk për 5 milionë lira turke.

Automobili i parë turk shitet për 1.5 milionë euro

Ministri turk i Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë, Fikri Isik deklaroi se, me çmim prej pesë milionë lirave turke (1.573.613 euro), është shitur automobili i parë i prodhimit vendas.

Ministri Isik ishte i ftuar në programin e televizionit shtetëror turk TRT, ku diskutoi për temat aktuale në Turqi, si dhe për projektin e automobilit të parë turk të prodhimit vendas.

Ai tha se në mbarë Turqinë ekziston një interesim i madh për automobilin e parë të prodhimit vendor, dhe se shumë persona kanë shprehur dëshirën për të blerë njërin nga prototipet e prodhuara.

“Kur vizitova qytetin e Gebze-s, një afarist shprehu dëshirën që i pari të blejë automobilin turk. I thash mundet, por është i shtrenjtë, dhe ashtu automobilin e parë e kam shitur për pesë milionë lira”, tha Isik.

Por, shtoi se për shitjen e automobilit vendosi një kusht. “Automobilin do t’ia shesim afaristit nga Gebze. Në rast se nuk ka kushte tjera, ai në qytetin Gebze do të ndërtojë një shkollë në vlerë prej pesë milionë lira”, tha Isik.

Në Turqi deri më tani janë prodhuar tre prototipa të automobilave të parë vendas, ndërsa në rrjedhë janë ndërhyrjet për përsosmërinë e tij.

Gjatë këtij viti do të prodhohen afër 30 deri 40 automobila, të cilat do të testohen në fusha të ndryshme, ndërsa deri në fund të vitit 2019 planifikohet të niset me prodhimin në seri.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme