Kongresi V i Partisë AK, Ahmet Davutoglu rizgjidhet kryetar

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), e cila drejton prej 13 vitesh Turqinë, organizoi sot Kongresin V të Madh të Zakonshëm, ku mori formë kryesia e re dhe u bënë ndryshime në statutin e saj.

Kongresi V i Partisë AK, Ahmet Davutoglu rizgjidhet kryetar

Në fund të kongresit ndryshoi gati gjysma e 50 anëtarëve të Këshillit Qendror Drejtues dhe Vendimmarrës të Partisë AK, që do të udhëheqë këtë forcë politike drejt zgjedhjeve të 1 nëntorit.

Kryetari i Partisë AK dhe Kryeministri Ahmet Davutoglu, në fjalimin drejtuar simpatizantëve të tubuar përpara Sallës së Sporteve “Ankara Arena”, ku u mbajt kongresi, bëri thirrje për unitet e solidaritet dhe më pas i ftoi ata që të bëhen gati për zgjedhjet parlamentare.

Fjalimet e kongresit u përkthyen në kurdisht, rusisht, frëngjisht, gjermanisht, anglisht dhe arabisht, ndërsa një spiker i veçantë përdori gjuhën e shenjave për personat me aftësi të kufizuara.

Në kongres u shfaq edhe një film, që tregon jetën dhe karrierën politike të Presidentit Recep Tayyip Erdogan, themelues i Partisë AK dhe ish-kryetar i saj për më se një dekadë. Gjatë shfaqjes së filmit, salla shpërtheu disa herë në brohoritma “Recep Tayyip Erdogan”; ndërsa në fund të filmit, të pranishmit dëgjuan një vjershë të recituar nga Presidenti Erdogan.

Gjatë punimeve të kongresit u lexua edhe mesazhi i Presidentit XI të Republikës së Turqisë, Abdullah Gul. Duke uruar që Kongresi V i Madh i Zakonshëm i Partisë AK të rezultojë i dobishëm për vendin dhe demokracinë, Abdullah Gul theksoi se Turqia, me ardhjen e Partisë AK në pushtet, është transformuar në bazat e parimeve të lirive, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.

Një tjetër film, që u shfaq në kongres, ishte edhe ai në lidhje me procesin nga zgjedhja e Kryeministrit të Turqisë, Ahmet Davutoglu, në krye të Partisë AK e deri më sot.

Pas fjalimeve të ndryshme, delegatët kryen votimin për zgjedhjen e kryetarit të partisë.

Në kongres votuan 1.360 delegatë nga 1.455 gjithsej.

Ahmet Davutoglu, i cili ishte kandidat i vetëm, mori të gjitha votat e vlefshme (1.353) dhe u zgjodh sërish kryetar i Partisë AK.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme