Ministri Isik: Gati tri modele të makinës elektrike turke

Janë bërë gati prototipat e automobilit kombëtar të Turqisë. Ministri i Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë, Fikri Isik, deklaroi se ka nisur testimi i tri modeleve. Sa i përket prodhimit në seri, ai la të kuptohet se do të fillojë përpara vitit 2020.

Ministri Isik: Gati tri modele të makinës elektrike turke

Siç edhe ishte njoftuar më parë nga autoritetet turke, tri modele të automobilit kombëtar janë prodhuar brenda këtij muaji.

“Prototipat janë gati dhe testet filluan”, tha ministri i Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë, Fikri Isik.

Makina kombëtare e Turqisë do të ketë motor elektrik dhe gjithsej katër modele.

Tri modele janë gati që tani; ndërsa për modelin e katërt, që do të prezantohet në muajin shtator, po punohet mbi përmirësimin e pajimit të zgjatjes së distancës.

Aktualisht po realizohet përsosja e dizajnit dhe programimit kompjuterik të makinës elektrike turke.

Ministri Isik bëri me dije se fotografitë e shumëpritura të makinave do të publikohen së shpejti.

“Punimet e Këshillit të Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike të Turqisë (TUBITAK) kanë përfunduar. Tani radhën e kanë testet në terren”, sqaroi ai.

Sipas ministrit Isik, për testet në terren do të prodhohet një flotë prej 30-40 makinash dhe më pas do të fillojë prodhimi në seri.

“Objektivi ynë është që automobili me markë turke të dalë në treg përpara vitit 2020”, përfundoi ai.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme