Çavusoglu: Turqia së shpejti do të godasë DAESH-in në Siri

Turqia së shpejti do të nisë goditjet ndaj organizatës terroriste DAESH në veri të Sirisë, deklaroi kreu i diplomacisë turke, Mevlut Çavusoglu, gjatë një takimi me homologun amerikan, John Kerry, në Malajzi.

Çavusoglu: Turqia së shpejti do të godasë DAESH-in në Siri

"Momentalisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po stërvitim dhe po sigurojmë me ç’është e nevojshme opozitën e moderuar dhe do të ndërmarrin gjithashtu sulme ndaj DAESH-it, për një periudhë të shkurtër dhe me efikasitet", tha ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, i cili është pyetur shkurtimisht nga korrespondentët e TRT-së në prag të takimeve vjetore të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).

Duke u rikujtuar gazetarëve se më parë janë shprehur që programi "trajno-pajis" është i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm nëse merren parasysh problemet në fushëbetejë, në luftën kundër DAESH-it apo dhe kundër regjimit, Çavusoglu ka theksuar se "sot po del në pah se Turqia kishte të drejtë".

Më tej, kryediplomati turk shpjegoi se organizata terroriste DAESH duhet të eliminohet, pasi përbën kërcënimin më të madh për Turqinë. Ai shtoi se vendet e rimarra nga DAESH-i do të kthehen natyrshëm në zona të sigurta dhe në to do të vendosen opozitarët e moderuar.

Ndërsa në përgjigje të një pyetjeje të një gazetari amerikan në lidhje me zonën e sigurt, Mevlut Çavusoglu u shpreh me këto fjalë: "Tani, bashkë me SHBA-të, ne po trajnojmë dhe po pajisim opozitarët e moderuar në Siri. Po ashtu, brenda një kohe të shkurtër do të nisim një ofensivë të gjerë kundër DAESH-it dhe rrjedhimisht terreni për opozitarët e moderuar do të jetë më i sigurt në luftën kundër organizatës terroriste".

Shefi i diplomacisë turke tërhoqi vëmendjen edhe mbi rëndësinë e hapave për zgjidhjen politike pa Esadin të konfliktit sirian.

"Bisedimet tona rreth kësaj çështjeje janë në vazhdim. Sot patëm një takim me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry dhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Sakaq, nga dita e djeshme kemi pasur takime me ministrat e Jashtëm të Filipineve, Mianmarit, Tajlandës, Norvegjisë, Pakistanit dhe Malajzisë. Bashkëveprimi i Pakistanit, Malajzisë, Indonezisë, Arabisë Saudite dhe Turqisë në botën islame do të ketë një kontribut në zgjidhjen e problemeve”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, Çavusoglu ka rikujtuar qëndrimin e Rusinë për çështjen e Sirisë dhe ka saktësuar se asnjë vend nuk ka një qëndrim ndryshe për sa i takon organizatës terroriste DAESH.

Çavusoglu ka shtuar më tej se Rusia dhe Irani nuk duhet të përjashtohen nga zgjidhja politike dhe ka theksuar se kontributet e këtyre vendeve janë të rëndësishme.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme