Medvedev: Së shpejti bisedimet për etapën e parë të Rrymës Turke

Kryeministri rus, Dmitri Medvedev, deklaroi se bisedimet midis Rusisë dhe kompanive, që do të ndërtojnë etapën e parë të gazsjellësit "Rryma Turke", do të fillojnë së shpejti.

Medvedev: Së shpejti bisedimet për etapën e parë të Rrymës Turke

Sipas mediave ruse, Medvedev ka theksuar se "Rryma Turke" do të jetë në interes të Rusisë, por edhe të Turqisë.

"Po punojmë rreth marrëveshjes ndërshtetërore Rusi-Turqi. Së shpejti do të fillojmë bisedimet me kompanitë, që do të ndërtojnë etapën e parë të gazsjellësit", është shprehur Medvedev, duke shtuar se, përveç Turqisë, interes për këtë projekt kanë shprehur gjithashtu Hungaria, Greqia, Maqedonia dhe Serbia.

"Hapat e para janë ndërmarrë më 22 qershor. Turqia ka dhënë lejen e nevojshme lidhur me punimet kërkimore për të piketuar itinerarin, mbi të cilin do të vendosen tubat e para në zonën ekonomike dhe ujërat territoriale të Turqisë", ka sqaruar shefi i ekzekutivit rus, Dmitri Medvedev.

Në fillim të dhjetorit 2014, Rusia kishte njoftuar anulimin e "Rrymës së Jugut", projekt ky që do të kalonte nën Detin e Zi dhe përmes Bullgarisë do të transmetonte gazin rus në vendet ballkanike, për të vijuar më tej në Hungari, Austri dhe Itali. Projekti u anulua për shkak të qëndrimit jokonstruktiv të Bashkimit Evropian. Në vend të tij, u ra dakord që të ndërtohet "Rryma Turke", itinerari i së cilës do të jetë kryesisht nën Detin e Zi, duke përshkuar pothuajse të njëjtën rrugë, mbi të cilën ishte rënë dakord më parë për "Rrymën e Jugut".

Siç është planifikuar deri tani, në kufi me Greqinë do të ndërtohet një stacion gazi për konsumatorët evropianë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme