Politikanët turq dënojnë njëzëri sulmin terrorist në Suruç

Paria e shtetit dhe politikës turke ka dënuar njëzëri sulmin terrorist në Suruç dhe ka përcjellë mesazhe për unitet e maturi.

382847
Politikanët turq dënojnë njëzëri sulmin terrorist në Suruç

Kreu turk i Shtetit, Recep Tayyip Erdogan, deklaratën e tij të parë në lidhje me sulmin në Suruç e bëri nga Republika Turke e Qipros së Veriut (RTQV), ku shkoi për ceremonitë e 41-vjetorit të Operacionit të Paqes.

“Dënoj dhe mallkoj personalisht në emër të popullit tim autorët e kësaj barbarie”, deklaroi Presidenti Erdogan, duke nënvizuar se po i ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me ngjarjen.

Pasi vuri theksin mbi domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorit, Erdogan vijoi me këto fjalë: “Terrori duhet të dënohet, pavarësisht vendit të origjinës. Terrori nuk ka fe, racë, shtet apo komb.”

Ndërsa Kryeministri në detyrë, Ahmet Davutoglu, urdhëroi zv/kryeministrin Numan Kurtulmus, ministrin e Punëve të Brendshme, Sebahattin Ozturk dhe ministrin e Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, Faruk Çelik, që të shkojnë në zonë dhe të inspektojnë vendngjarjen.

Sakaq, nënkryetari dhe zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Besir Atalay, bëri thirrje për maturi e gjakftohtësi pas shpërthimit në Suruç, me pasojë vdekjen e të paktën 28 personave dhe plagosjen e rreth 100 të tjerëve.

“Apeloj që të gjithë, pa përjashtim, të bashkohen dhe të veprojnë me maturi e gjakftohtësi përballë këtij sulmi terrorist, që ka në shënjestër unitetin dhe integritetin e vendit tonë”, tha Atalay.

Sulmin në fjalë e dënoi gjithashtu zv/kryeministri Yalçin Akdogan.

“Këto lloj sulmesh terroriste, që ndërmerren kundër Turqisë, unitetit dhe integritetit të popullit tonë, kundër qetësisë, rendit dhe paqes, nuk do t’ia arrijnë dot kurrë qëllimit të tyre të ulët”, u shpreh Akdogan, duke i bërë thirrje edhe medias për maturi.

Nga ana tjetër, Partia Popullore Republikane (CHP) dërgoi menjëherë një delegacion në vendngjarjen e sulmit me bombë.

Vet kryetari i CHP-së, Kemal Kiliçdaroglu, u prononcua rreth aktit terrorist nëpërmjet llogarisë së tij në rrjetin social “Twitter”.

“Sulmi tradhtar në Suruç na pikëlloi thellë në zemër. Dhimbja dhe hidhërimi për humbjen e bijve tanë në lule të rinisë janë të papërshkrueshme”, shkruan lideri i partisë kryesore opozitare në Turqi.


Sulm vetëvrasës në juglindje të Turqisë, të paktën 28 të vdekur http://ow.ly/PPQo8

Posted by Trt Albanian on 20 Temmuz 2015 Pazartesi

Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme