Erdogan dënon fuqishëm sulmet terroriste të DAESH-it në Kobani

“Dënojmë fuqimisht dhe mallkojmë me gjithë shpirt këto sulme, që marrin në shënjestër civilët pa përjashtim”, deklaroi Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe theksoi se askush nuk ka të drejtë ta shfaqë Turqinë në të njëjtën linjë me terrorin.

Erdogan dënon fuqishëm sulmet terroriste të DAESH-it në Kobani

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka dënuar fuqishëm sulmet e organizatës terroriste DAESH në Kobani.

I pranishëm në iftarin e shtruar në Qendrën e Kongreseve të Bririt të Artë në Stamboll nga Shoqata e Biznesmenëve Luanët e Anadollit (ASKON), kreu turk i shtetit dënoi sulmet kundër civilëve në Kobani.

“Dënojmë fuqimisht dhe mallkojmë me gjithë shpirt këto sulme, që marrin në shënjestër civilët pa përjashtim. Deri më sot, ne nuk i kemi përplasur portën në fytyrë dhe s’i kemi kthyer shpinën askujt, që është strehuar në vendin tonë, që ka pasur nevojë dhe që e ka parë Turqinë si një port të sigurt. Kështu që menjëherë pas ngjarjes, të gjithë qytetarët sirianë të plagosur u sollën për kurim në spitalet e vendit tonë”, tha Erdogan.

Lideri turk iu përgjigj edhe pretendimeve të hedhura gjatë dhe pas sulmeve në Kobani.

“Kurrkush nuk ka të drejtë dhe nuk mund ta shfaqë Turqinë në të njëjtën linjë me terrorin”, nënvizoi Erdogan, duke i ftuar të gjithë për të vepruar me arsye të shëndoshë.

Ai vuri në pah gjithashtu se Turqia e ka të pamundur të heshtë përballë zhvillimeve përreth saj.

“Sot, në zonën tonë jugore, po dëshmojmë përpjekje për ndërtimin hap pas hapi të një Sykes–Picoti të ri (traktati i famshëm britaniko-francez i vitit 1916 mbi Azinë e Vogël – shën. i përkth.). Po bëhen përpjekje për jetësimin e projekteve të huaja në sociologjinë, historinë dhe strukturën e rajonit. As që bëhet fjalë që ne ta shpërfillim këtë skenar. Ky plan nuk mund të neglizhohet kurrsesi. Nuk mund të veprojmë në asnjë mënyrë sikur ai të mos ekzistonte”, saktësoi Presidenti Erdogan.


 

Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme