Presidenti Erdogan pranon dorëheqjen e Këshillit të Ministrave

Qeveria e drejtuar nga Kryeministrit turk, Ahmet Davutoglu, me një lëvizje qartësisht procedurale përpara krijimit të një kabineti të ri, i paraqiti të martën dorëheqjen Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti Erdogan pranon dorëheqjen e Këshillit të Ministrave

Kryeministri Davutoglu shkoi në Pallatin Presidencial pas takimeve të veçanta me drejtuesit e lartë të Partisë AK dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave.

Dorëheqja u pranua nga Presidenti Erdogan, i cili e falënderoi Davutoglunë për shërbimet e deritanishme dhe i kërkoi të qëndrojë në detyrë deri në krijimin e kabinetit të ri, thuhet në një komunikatë të Zyrës për Shtyp të Presidencës.

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat.

Sakaq, vëmendja do të përqendrohet tek Këshilli i Lartë Zgjedhor (YSK).

Ky i fundit do të vlerësojë kundërshtimet në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit dhe më 19 ose 20 qershor do të shpallë rezultatet përfundimtare.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, Presidenti Erdogan do të ngarkojë Ahmet Davutoglunë me detyrën e formimit të qeverisë së re.

Duke qenë se Partia AK nuk arriti dot të sigurojë një shumicë parlamentare të mjaftueshme për të qeverisur e vetme (276 mandate), për herë të parë në historinë e saj, Davutoglu do të takohet me liderët e partive politike të tjera, që kanë hyrë në Kuvend, për të vlerësuar mundësitë e koalicionit.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Turqisë, qeveria duhet të formohet brenda 45 ditëve nga data e ngarkimit me këtë detyrë.

Nëse Davutoglu nuk arrin të formojë qeverinë, Presidenti Erdogan do të mund të vendosë për një mandatar tjetër për krijimin e saj, sipas përqindjes së votave.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Popullore Republikane (CHP), Kemal Kiliçdaroglu, opsionin e zgjedhjeve të parakohshme e vlerësoi si “humbje kohe” nëpërmjet një postimi në mediat sociale.

“Ajo, që na takon neve, është të përcaktojmë një qeveri në përputhje me interesat e popullit tonë”, shkruan Kiliçdaroglu ndër të tjera në postimin e tij.

Kurse lideri i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, duket i distancuar ndaj mundësisë së koalicionit; por brenda partisë të gjithë skenarët po vlerësohen me hollësi.

Megjithatë, në korridoret e selisë së MHP-së flitet se Bahçeli mund të ndezë dritën e gjelbër për bisedimet e koalicionit, por duke ruajtur “vijat e kuqe” të forcës politike, që drejton.

Bashkëkryetari i Partisë Demokratike të Popujve (HDP), Selahattin Demirtas, nga ana e tij theksoi se duhet të diskutohet seriozisht mbi opsionin e një koalicioni të gjerë ndërmjet Partisë AK dhe CHP-së, pasi ky është edhe vullneti i zgjedhësve.


Pas zgjedhjeve në Turqi – Koalicion apo zgjedhje të parakohshme? http://ow.ly/O3V6g

Posted by Trt Albanian on 9 Haziran 2015 Salı

Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme