Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Përvjetori 55. i grushtit të shtetit të 27 majit në Turqi

Data 27 maj 1960 shënon pikë kthese për fatin e një shteti. Ajo është gjeneza e historisë së puçeve ushtarake, dita më e zezë e historisë politike turke...

Përvjetori 55. i grushtit të shtetit të 27 majit në Turqi

Turqia nuk ka harruar as Ishullin Yassiada, as kryeministrin dhe ministrat e martirizuar, edhe pse kanë kaluar dhjetëra vite që nga ajo kohë.

Çdo gjë në fakt ka nisur në vitin 1950...

E njohur praktikisht me sistemin pluralist (shumëpartiak) në vitin 1946, Turqia u drejtua 4 vjet më vonë nga Partia Demokratike, që erdhi në pushtet me 52 për qind të votave.

Në vitet e fundit të pushtetit 10-vjeçar të kësaj force politike, ujërat filluan të nxehen.

Disa universitete dhe studentët u nxitën për të demonstruar kundër qeverisë.

Pas incidenteve si pasojë e demonstratave, në Stamboll dhe Ankara u shpall shtetrrethimi.

Komiteti i Bashkimit Kombëtar, i përbërë nga 38 gjeneralë dhe oficerë të Forcave të Armatosura të Turqisë, kishte vënë në shënjestër Kryeministrin Adnan Menderes.

Mëngjesin e 27 majit 1960, me motivin se "Partia Demokratike e kishte tërhequr vendin drejt një regjimi shtypës dhe një luftë ndërvëllazërore", ushtria mori kontrollin e pushtetit.

Grushti i shteti u njoftua nga Koloneli Alparslan Turkes nëpërmjet një komunikate radiofonike: “Të dashur qytetarë! Nga mesnata e 27 majit, Forcat e Armatosura Detare, Ajrore dhe Tokësore turke kanë marrë së bashku kontrollin dhe qeverisjen e vendit në të gjithë territorin e Turqisë.”

Komiteti i Bashkimit Kombëtar shfuqizoi Kushtetutën, shpërndau Parlamentin dhe pezulloi të gjitha aktivitetet politike.

Presidenti Celal Bayar, ministrat, deputetët e Partisë Demokratike, Shefi i Shtatmadhorisë, Gjeneralarmate Rustu Erdelhun dhe burokratë të lartë u arrestuan.

Ndërsa Kryeministri Adnan Menderes u ndalua brenda të njëjtës dite në Kytahia, ku gjendej për një vizitë të programuar më parë, nga Koloneli Muhsin Batur.

Kështu nisën “ditët në Yassiada”...

Sipas shumë historianëve, çdo seancë gjyqësore ishte një skandal ligjor më vete.

Më datë 15 shtator 1961, pas procedimeve gjyqësore, gjithsej 15 të akuzuar morën dënim me vdekje, ku ia vlen të përmenden Presidenti Celal Bayar, Kryeministri Adnan Menderes, ministri i Punëve të Jashtme, Fatin Rustu Zorlu dhe ministri i Financave, Hasan Polatkan.

Liderët e shumë shteteve të huaja e kundërshtuan fuqishëm këtë vendim.

Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur Komitetit të Bashkimit Kombëtare, drejtuar nga Cemal Gurseli, për anulimin e ekzekutimit të dënimit kapital.

Komiteti anuloi dënimin me vdekje për 11 autoritete, por Celal Bayari, Adnan Menderesi, Hasan Polatkani dhe Fatin Rustu Zorlu nuk kishin të njëjtin fat.

Më pas, dënimi me vdekje për Celal Bayarin u konvertua në burgim të përjetshëm për shkak të moshës së tij.

Fillimisht u ekzekutuan dy ministrat, Hasan Polatkan dhe Fatin Rustu Zorlu.

Sa për Adnan Menderesin, i cili atë ditë bëri një tentativë për vetëvrasje, ai u ekzekutua më 17 shtator 1961, ora 13.21, në Ishullin Imrali.

“Nuk jam aspak i zëmëruar, s’kam asnjë mëri”, ishin këto fjalët e fundit të Adnan Menderesit, të cilat tingëllonin më shumë si një vikamë e heshtur...

Turqia nuk ka qenë në gjendje për të kapërcyer këtë traumë për vite me radhë.

Vite më vonë, Adnan Menderesit dhe shokëve të tij iu rikthye dinjiteti i humbur nëpërmjet një ligji të miratuar nga Kuvendi në vitin 1990.

Trupat e martirëve të demokracisë u transportuan me ceremoni shtetërore nga Ishulli Yassiada në varrin monumental të Stambollit.

Gati gjysmë shekulli vjet më vonë, më 27 maj 2012, në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë u themelua Komisioni Kërkimor për Grushtet e Shtetit dhe Memorandumet.

Megjithatë, puçi ushtarak i 27 majit 1960, i cili i hapi rrugën një memorandumi, një tjetër grusht shteti, pastaj një grusht shteti postmodern dhe një "shpalljeje elektronike"; do të mbetet edhe për shumë vite e gdhendur në memorie si një kujtim i hidhur.


 

Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme