Deklarata e Erdogan shkakton jehonë të madhe

Deklarata e Presidentit Erdogan për "strukturat paralele" shkakton jehonë të madhe në mediat shqiptare

Deklarata e Erdogan shkakton jehonë të madhe

Vizita e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në Shqipëri më 13 maj pati një jehonë, pasqyrim të gjerë dhe vëmendje të veçantë në mediat shqiptare, qoftë të shkruara, por edhe televizive, apo edhe ato online. Mediat shqiptare sidomos, përveç pasqyrimit të axhendës së takimeve, i kushtuan një rëndësi edhe deklaratave të president turk për lëvizjen e “strukturave paralele”, duke pasqyruar dhe komentuar qëndrimet e Erdoğan që mbajti gjatë një fjalimi në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve të xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, raporton.

Gazeta “Panorama”, një ndër gazetat me tirazhin më të madh në Shqipëri, i ka kushtuar vëmendje deklaratave të presidentit turk, Erdoğan në lidhje me “strukturat paralele”. Kjo gazetë shkruan se “presidenti turk kishte edhe një mesazh të qartë dhe të prerë për shtetin shqiptar. Ai është shprehur se në Shqipëri ka grupe terroriste që përdorin fenë si ideologji të tyre dhe se këto grupe rrezikojnë sigurinë kombëtare të Turqisë” dhe më pas citon fjalën e Erdogan si vijon: “Ju jeni në dijeni që në vendin tonë po luftojmë kundër një strukture paralele që është krijuar. Ne e konsiderojmë zyrtarisht atë si një organizatë terroriste që kërcënon vendin tonë, popullin tonë. Luftën ndaj kësaj organizate do ta vazhdojmë pa ndërprerje. Unë e di që kjo strukturë ka veprimtarinë edhe në Shqipëri. Unë me vëllezërit e mi të vyer, Nishani dhe Rama e trajtova këtë çështje dhe kam bindjen që ata do të bëjnë atë që duhet”.

Edhe gazeta “SHQIP”, i ka kushtuar vëmendje deklaratës së presidentit turk. Ajo shkruan në faqen e parë të saj titullin “Erdogan premton investime dhe kërkon largimin e ‘gylenistëve’ nga Shqipëria".

Ndërsa gazeta "shqiptarja.com" ka përdoru titullin “Luftë terrorizmit, ata kanë baza edhe në Shqipëri”. Kjo gazetë vazhdon më tej se “presidenti turk Erdoğan zgjodhi ceremoninë për nisjen e punimeve të xhamisë së Namazgjasë për të deklaruar se në Turqi veprojnë organizata paralele, që zyrtarisht ai i cilësoi si terroriste. Ndërsa tha se Turqia do ta luftojë këtë organizatë terroriste kudo në botë”.

Gazeta “MAPO” ka si titull në faqen e parë të saj: “Erdoğan i kërkon Ramës e Nishanit të luftojë Gylenin si organizatë terroriste”. Si nëntitll kjo gazetë shkruan se: ”Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan i kërkoi publikisht gjatë inaugurimit të punimeve të xhamisë së Namazgjasë, kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Bujar Nishani t’i shpallin luftë organizatës së Fetullah Gylen në Shqipëri, duke e cilësuar atë si terroriste”.

Ndërsa gazeta “TIRANA OBSERVER” ka si titull në faqen e parë të saj: “Erdogan kërkon dëbimin nga Shqipëria të lëvizjes Gylen”. Kjo gazetë citon fjalën e presidentit turk mbajtur gjatë ceremonisë për inaugurimin e nisjes së punimeve për xhhaminë e Namazgjasë në Tiranë, ku shkruan: “Erdogan tha se në Turqi ‘janë krijuar struktura paralele terroriste që kërcënojnë shtetin turk dhe se kjo organizatë ka veprimtari edhe në Shqipëri. Presidenti turk tha se për këtë çështje diskutoi edhe me presidentin Nishani dhe kryeministrin Rama dhe se qëndrimi nda kësaj lëvizjeje duhet të jetë i qartë’”.

Vizita e Erdoğan dhe qëndrimet e tij të mbajtura në takimet me drejtuesit e shtetit shqiptar kanë patur jehonë edhe në mediat televizive dhe onlinë. Kështu televizioni “Top Channel”, duke i kushtuar rëndësi ceremonisë së fillimit të punimeve për xhaminë e Namazgjasë, u ndal edhe tek deklaratat e presidentit turk për strukturat paralele. Edhe televizioni “Klan” i kushtoi rëndësi këtyre deklaratave të presidentit turk, i cili i bëri në ceremoinë e inagurimit e fillimit të punimeve për xhaminë e Namazgjasë në kryeqytetin shqiptar.

Ndërsa “Balkanweb”, një ndër portalet më të madha të lajmeve në Shqipëri shkruan: “Nisin punimet për xhaminë e Namazgjasë, Erdogan: Në Turqi, struktura paralele terroriste, veprojnë edhe në Shqipëri”.

Kujtojmë se presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi të mërkurën në Shqipëri një vizitë zyrtare një ditore, ku pati një axhendë të ngjeshur takimesh me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, si me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministrin, Edi Rama, kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, kreun e opozitës, Lulzim Basha, si dhe me kryetarin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi. Presidenti turk, së bashku me homologun e tij shqiptar inauguruan gjithashtu edhe nisjen e punimeve për xhaminë e Namazgjasë në Tiranë. Të dy presidentët ishin edhe pjesë e forumit të biznesit Turqi-Shqipëri, ku iu bënë thirrje investitorëve turq të investojnë në Shqipëri.

Pjesë e agjendës zyrtare të vizitës së presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në Shqipëri, ishte edhe vizita në Kalanë e Prezës, ku u zhvillua ceremonia e përurimit të rikonstruksionit të xhamisë që ndodhet brenda kësaj kalaje, e financuar nga TIKA, e cila ndodhet në fshatin Prezë të Tiranës.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme