Rumania ekstradon 2 policët e akuzuar për përgjim të Erdoganit

Pas arrestimit në Rumani, dy ish-oficerë të policisë turke u dërguan në Stamboll, me avionin e THY me dyshimin se kanë marrë pjesë në aktin e paligjshëm të vendosjes së aparateve përgjuese në zyrën e Erdoganit, në kohën kur ai ishte Kryeministër.

Rumania ekstradon 2 policët e akuzuar për përgjim të Erdoganit

Të dielën në darkë u sollën me avionin e Turkish Airlines (THY) nga Bukureshti në Stamboll ish-shefi i policisë Sedat Zavar dhe ish-polici Ilker Usta, të cilët kërkohen nga drejtësia turke me akuzën se kanë marrë pjesë në aktin e paligjshëm të vendosjes së aparateve përgjuese në zyrën e Rexhep Tajip Erdoanit (Recep Tayyip Erdoğan), në kohën kur ky ka qenë Kryeministër i Republikës së Turqisë.

Aktualisht policët e ekstraduar ndodhen në paraburgim dhe pritet që të dalin në gjyq.

Para vendosjes në paraburgim, dy ish-policë të arrestuar i janë nënshtruar kontrollit mjekësor. Zavar gazetarëve që ishin pranë u tha se: "Shfaqja teatrale vazhdon."

Në periudhën kur presidenti aktual i Turqisë mbante postin e kryeministrit të vendit, në zyrën e tij ishin vendosur aparate përgjimi. Në kuadër të hetimit mbi "strukturat paralele", ishte lëshuar urdhri për arrestimin e dy ish-zyrtarëve të policisë, të cilët ishin arratisur jashtë vendit.

Në bashkëpunim me policinë rumune, dy të dyshuarit u arrestuan në Bukuresht. Autoritetet rumune e kishin refuzuar kërkesën e tyre për azil, ndërsa më 20 mars gjykata në Bukuresht mori vendimin për dorëzimin e tyre autoriteteve turke.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme