Telefonata Erdogan-Obama; në fokus DAESH-i, Jemeni dhe Ukraina

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan realizoi mbrëmë vonë një bisedë telefonike me homologun amerikan, Barack Obama.

284560
Telefonata Erdogan-Obama; në fokus DAESH-i, Jemeni dhe Ukraina

Zhvilluar me kërkesë të Obamas, biseda telefonike në fjalë u fokusua mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët dhe zgjati plot 1 orë.

Krahas bashkëpunimit të vazhdueshëm në luftën kundër organizatës terroriste DAESH, gjatë bisedës telefonike u morën në shqyrtim edhe përpjekjet e përbashkëta për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Irak e Siri.

Të dy liderët gjithashtu shkëmbyen mendime rreth punimeve për intensifikimin e bashkëpunimit për mbështetjen e opozitës së moderuar siriane nëpërmjet programit “Trajno-Pajis” dhe parandalimin e hyrjes së luftëtarëve të huaj në Siri.

Numri 1 i Shtëpisë së Bardhë, nga ana e tij i shprehu Presidentit Erdogan konsideratën dhe falënderimet e tij për mikpritjen e afro 2 milionë refugjatëve sirianë dhe irakianë në Turqi, si dhe për kontributin e Ankarasë në lidhje me ndalimin e luftëtarëve të huaj.

Erdogan dhe Obama biseduan gjithashtu për zhvillimet e fundit në Jemen e Ukrainë dhe negociatat mbi programin bërthamor të Iranit, duke konfirmuar akordin mes tyre për një bashkëpunim më të ngushtë edhe gjatë periudhës në vijim për sa i takon të gjitha çështjeve rajonale me interes të ndërsjellë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme