Ertug: Bashkëbisedues i grekoqipriotëve është RTQV-ja, jo Turqia

Kërkesa e qeverisjes grekoqipriote nga Rusia për ndërmjetësim me Turqinë është pritur me reagim në Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV).

Ertug: Bashkëbisedues i grekoqipriotëve është RTQV-ja, jo Turqia

Zëdhënësi i Presidencës turkoqipriote, Osman Ertug, deklaroi se bashkëbisedues i palës grekoqipriote është Republika Turke të Qipros së Veriut dhe jo Turqia.

Në një komunikatë me shkrim, Osman Ertug thotë se “dëshirën për progres pala greke e ishullit mund t’ia përcjellë drejtpërsëdrejti palës turke të Qipros, e cila është në pritje prej disa muajsh në tavolinën e bisedimeve; sa i përket fjalëve dhe veprimeve të tjera përveç kësaj, ato nuk janë veçse taktika për të devijuar dhe zvarritur çështjen”.

“Nëse Qiproja e Jugut dëshiron të bashkëbisedojë me Turqinë, rruga e duhur për këtë është mbajtja e një takimi katërsh, ose pesësh, që përfshin turqit dhe grekët në Qipro, Turqinë dhe Greqinë, si dhe vendet garantuese”, theksohet në komunikatën e Presidencës së RTQV-së, ku kritikohet gjithashtu deklarata e zëdhënësit të qeverisjes grekoqipriote, Nikos Hristodoulidis.

Deklarata e Hristodoulidis, ku ai thotë se “janë në pritje të pjekjes së kushteve për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve”, provojnë sërish mungesën e vullnetit dhe dëshirës së palës grekoqipriote për të rinisur negociatat, sqaron Ertug.

Sipas një artikulli të publikuar në një gazetë grekoqipriote, lideri grekoqipriot, Nikos Anastasiades, i ka kërkuar Presidentit rus, Vladimir Putin, që të ndërmjetësojë midis Turqisë dhe qeverisjes së Qipros së Jugut.

Lajmi në fjalë nënvizon se, nëpërmjet Presidentit Putin, lideri grekoqipriot i ka kërkuar Presidentit Recep Tayyip Erdogan që të bashkëpunojë për zgjidhjen e problemit qipriot në këmbim të një formule fito-fito (win-win), që parashikon përfitime të Turqisë nga hidrokarburet e Qipros.

Në këtë artikull, që e përditshmja grekoqipriote thekson se bazohet në burime të sigurta, pretendohet se ndërmjetësimi i Moskës do të mbështetet edhe nga politikani norvegjez, Espen Barth Eide, këshilltar special për Qipron i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme