Erdogan: Apeli drejtuar PKK-së për uljen e armëve, i pritur me padurim

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se apeli i delegacionit të HDP-së drejtuar PKK-së për uljen e armëve është një zhvillim “i pritur me padurim” në Procesin e Zgjidhjes. “Tani mbetet të shohim sesa do të pasqyrohet kjo në terren”, theksoi ai.

Erdogan: Apeli drejtuar PKK-së për uljen e armëve, i pritur me padurim

Lideri turk iu përgjigj të shtunën pyetjeve të gazetarëve në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit, përpara nisjes së tij për vizitë zyrtare në Arabinë Saudite.

“Janë anëtarët e organizatës në fjalë ata, që duhet të ulin armët. Në rast se një gjë e tillë pritet nga forcat e sigurisë, atëherë kjo është një ëndërr në diell. Nëse thuhet që ushtria dhe policia të ulin armët, këto janë mbroçkulla të papranueshme. Sepse, pa orientim kah terrorit, as forcat e sigurisë nuk i përdorin armët”, tha Presidenti Erdogan.

Ndërsa Kryeministri Ahmet Davutoglu, pjesëmarrës të shtunën në një aktivitet në Ankara, u prononcua me këto fjalë: “Tashmë askush nuk duhet të flasë me gjuhën e armëve në këto troje. Do të ndjekim nga afër implementimin e apelit të sotëm.”

Kreu i qeverisë turke i kushtoi një vend të gjerë këtij zhvillimi edhe gjatë fjalimit të tij me temë “Në rrugën drejt Turqisë së re”. Ai vuri në pah se Procesi i Zgjidhjes është tani një pronë e popullit dhe një proces, të cilit i dalin për zot të gjithë qytetarët. Po ashtu, Davutoglu shprehu besimin se në Procesin e Zgjidhjes do të hidhen hapa më të fuqishëm gjatë periudhës në vijim.

“Do të marrë fund gjuha e dhunës dhe armëve në Turqi. Do t’i hapet rruga politikës demokratike”, shtoi shefi i ekzekutivit turk.

Sakaq, numri 1 i partisë opozitare kryesore në Turqi, CHP, Kemal Kiliçdaroglu, e vlerësoi apelin drejtuar PKK-së për uljen e armëve si “një hap, që do të sjellë qetësi në këto treva”.

Nga ana tjetër, thirrja për uljen e armëve fitoi menjëherë edhe mbështetjen e Bashkimit Evropian.

“E pritëm me kënaqësi apelin drejtuar PKK-së për uljen e armëve”, thuhet në komunikatën e publikuar nga Zyra e Shtypit të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

“Siç edhe është theksuar nga zv/kryeministri turk, Yalçin Akdogan, ky është një hap përpara në Procesin e Zgjidhjes. Urojmë dhe shpresojmë që të gjitha palët ta shfrytëzojnë këtë shans për të avancuar me vendosmëri drejt demokratizimit, pajtimit dhe paqes. Ashtu si përherë, BE-ja ofron mbështetjen politike më të fuqishme për këtë proces dhe rikonfirmon gatishmërinë e saj për ndihmë të aplikuar, përfshi këtu dhe fondet e IPA-s”, nënvizohet në deklaratën e BE-së.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme