Turqia pezullon shërbimet e Ambasadës në Jemen

Turqia i është bashkuar varganit të shteteve, që kanë pezulluar shërbimet dhe aktivitetet e misioneve të tyre diplomatike në Jemen, një vend ky në rrezik serioz për luftë civile pas marrjes me forcë të pushtetit nga militantët Husi.

Turqia pezullon shërbimet e Ambasadës në Jemen

Ambasadori Fazli Çorman dhe personeli i Ambasadës turke në Sana u kthyen sot në Turqi.

“Kriza qeveritare, destabiliteti, protestat gjithëpopullore dhe konfrontimet ndërmjet forcave kundërshtare në Jemen, kanë shkaktuar probleme serioze sigurie në këtë vend”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë në lidhje me këtë çështje.

Megjithatë, shtohet në komunikatën e MPJ turke, solidarizimi ynë me popullin jemenas, me të cilin kemi lidhje të ngushta historiko-vëllazërore, si dhe mbështetja jonë për vendosjen e paqes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Jemen, do të vazhdojnë edhe gjatë periudhës në vijim.

Sakaq, Ministria e Jashtme turke përsëriti dhe paralajmërimin në lidhje me udhëtimet e qytetarëve turq drejt Jemenit.

“Të gjithë qytetarët turq në Jemen, të cilët nuk kanë arsye të domosdoshme, janë të lutur që të largohen nga ky vend për shkak të kushteve aktuale jo të sigurta. Ndërsa qytetarëve, që kanë në plan të shkojnë në Jemen, u këshillohet të mos udhëtojnë drejt këtij vendi për sa kohë që nuk kanë detyrime të fuqishme për ta bërë një gjë të tillë”, sqaron MPJ e Turqisë.

Më parë, shërbimet dhe aktivitetet e misioneve të tyre diplomatike në Sana i kanë pezulluar gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende evropiane.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme