Ankaraja dënon gjuhën e pahijshme të kritikës së Sargsyanit

Fjalët e pahijshme, me të cilat Presidenti armen, Sargsyan, ka kritikuar ftesën e homologut turk, Erdogan, për të marrë pjesë në ceremonitë e përvjetorit jubilar të Luftës së Çanakalasë, kanë tërhequr menjëherë reagimin e Ankarasë zyrtare.

Ankaraja dënon gjuhën e pahijshme të kritikës së Sargsyanit

“Kritikat e bëra nga Sargsyani me një gjuhë në kundërshtim me praktikat diplomatike, të cilat kanë në shënjestër ftesën e Presidentit Erdogan për Armeninë, janë katërçipërisht të papranueshme. I kthejmë prapa në të njëjtën formë Sargsyanit të gjitha ato fjalë të pahijshme, që nuk i shkojnë për shtat aspak kryetarit të një shteti”, ka deklaruar zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë, Ibrahim Kalin.

Presidenti armen, Serzh Sargsyan, kishte kritikuar me fjalë të pahijshme ftesën, që kishte marrë nga Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, për të marrë pjesë në ceremonitë e 100-vjetorit të Luftës së Çanakalasë.

Fjalët e pahijshme të Sargsyanit kanë tërhequr menjëherë reagimin e zëdhënësit të Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin.

“Në vitin 2005, zoti Erdogan ka bërë thirrje për ngritjen e ‘Komisionit të Përbashkët Historik’, në mënyrë që kjo periudhë, e cila ka të bëjë me historinë e përbashët të Turqisë dhe Armenisë, të hulumtohet nga historianët; ndërsa në vitin 2009, ai ka mundësuar nënshkrimin e protokolleve, që do të hapnin rrugën e normalizimit të marrëdhënieve Ankara-Erevan. Si shenjë e vijimësisë së të njëjtit qëndrimi konstruktiv dhe paqësor, më datë 23 prill 2014, zoti Erdogan ka realizuar një risi, duke publikuar një mesazh ngushëllimi drejtuar të gjithë armenëve. Por Armenia nuk ka shfaqur reciprocitet për asnjë nga këto hapa të Turqisë. Qeveria armene nuk ka qasje as për trajtimin e ngjarjeve të vitit 1915 larg llogarive politike dhe nga një perspektivë historike e drejtë; as për normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë dhe Azerbajxhanin, duke i dhënë fund pushtimit të Nagorni-Karabakut; dhe as për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ky qëndrim dëmton mbi të gjitha vet Armeninë dhe armenët”, ka theksuar zëdhënësi Kalin, duke shtuar se miqësia e lashtë turko-armene do të vijojë pavarësisht gjithë këtyre zhvillimeve të pakëndshme.

Kundër Presidentit armen, Serzh Sargsyan, ka reaguar me gjuhë të ashpër edhe Ministria turke e Punëve të Jashtme.

“Dënojmë fuqishëm këtë retorikë, që nuk i ka hije as liderit të një vendi fqinj dhe as përfaqësuesit të kombit të lashtë armen. Është parë me keqardhje se këto nisma humane, të pranueshme dhe realiste të Turqisë kanë rënë sërish në vesh të shurdhër, ndërsa janë refuzuar me gjuhë të pahijshme një dorë e zgjatur dhe një ftesë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e MPJ-së në Ankara.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme