Erdoan: Shkollat e Gulen-it jashtë vendit do të zëvendësohen

Ministria e Arsimit e Turqisë është duke punuar rreth një programi për të zëvendësuar shkollat e organizuara dhe drejtuara nga lëvizja “Gulen” jashtë vendit, ka deklaruar Presidenti Erdoan në Etiopi.

Erdoan: Shkollat e Gulen-it jashtë vendit do të zëvendësohen

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) këto komente i bëri në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Etiopisë, Hailemariam Desalegn. "Në vendet që viziton Kryeministri ynë, ministrat tanë dhe personalisht unë, do t’ju flas udhëheqësve të vendeve që vizitojmë në lidhje me pozicionet e lëvizjes së drejtuar nga Gulen, institucionet që kjo lëvizje ka, ato duhet të mbyllen dhe zëvendësohen, ndërsa Ministria jonë e Arsimit do të sigurojë të njëjtin shërbim", ka thënë Presidenti Erdoan.

Ai ka sqaruar se Ministria turke e Arsimit është duke punuar rreth këtij plani dhe do ta përfundojë atë së shpejti. “Ministria është duke punuar së bashku me Asamblenë e Përgjithshme të Bordit të Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK), e cila është e lidhur me Ministrinë e Ekonomisë”, ka pohuar kreu i shtetit turk.

Erdoan ka theksuar se strukturat e "shtetit paralel" janë një kërcënim për sigurinë kombëtare të Turqisë.

Ndërsa Kryeministri etiopian, Hailemariam Desalegn, pasi ka nënvizuar se kanë një politikë të hapur, që do ta ndjekin në mënyrë të drejtpërdrejtë me qeverinë dhe pa u lënë terren të lirë strukturave paralele, ka vijuar me këto fjalë: “Në hapat, që do të hidhen, do të jemi në pritje të miratimit nga qeveria turke. Këtej e tutje do të punojmë sipas orientimeve, që do të vijnë nga Ankaraja zyrtare.”

Lëvizja Gulen, e drejtuar nga kleriku Fethullah Gulen me qëndrim në SHBA, akuzohet për përpjekje për të përmbysur qeverinë turke me anë të strukturave paralele në institucionet shtetërore. “Shteti paralel” i referohet lëvizjes Gulen, e akuzuar për infiltrimin e anëtarëve të saj në institucionet kyçe, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe institucione të tjera brenda Turqisë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme