Davutoglu: Në Paris për solidarizim me francezët kundër terrorit

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, përshëndeti dje Marshimin Republikan në Paris kundër terrorizmit si një mesazh i fortë drejtuar botës, duke shtuar se do të dëshironte reagime të ngjashme në rast sulmesh kundër xhamive, apo në rast islamofobie.

Davutoglu: Në Paris për solidarizim me francezët kundër terrorit

Davutoglu iu bashkua rreth 50 drejtuesve botërorë në marshimin historik në Paris, në kujtim të 17 viktimave të vrarë nga tre ekstremistë, ku përcolli mesazhin se “Turqia renditet përkrah francezëve kundër terrorit”.

Shefi i ekzekutivit turk e nisi vizitën në Paris me një postim frëngjisht në “Twitter”. “Jam në Paris për solidarizim me popullin francez kundër terrorizmit”, shkroi ai në rrjetin social.

Ndalesa e parë e Kryeministrit Davutoglu në Paris ishte Pallati “Elysee”.

Ai u prit në hyrje të Presidencës franceze nga François Hollande. Pas bisedimeve jo shumë të gjata, Davutoglu, Presidenti Hollande dhe liderët e tjerë botërorë kaluan në sheshin e marshimit.

Numri 1 i Ankarasë zyrtare marshoi në reshtin e parë bashkë me Presidentin francez, kryeministrat e Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Italisë; Mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe Presidentin palestinez, Mahmud Abbas.

Prania në marshimin historik e Kryeministrit turk, një prej drejtuesve kryesorë myslimanë, u cilësua në Turqi si një gjest shumë simbolik.

“Ky është një mesazh drejtuar gjithë botës se të gjithë duhet të ngrihemi kundër terrorizmit”, konfirmoi Davutoglu për gazetarët në Ambasadën turke në Paris.

“Ne presim që e njëjta ndjeshmëri të shprehet për sulmet kundër xhamive, apo në rast islamofobie”, shtoi ai, duke theksuar se marshimi në kryeqytetin e Francës është një tablo uniteti dhe solidariteti edhe nga aspekti i të gjithë Evropës.

Duke sqaruar se Turqia, si një shtet që në kaluarën ka vuajtur shumë nga terrori, do të vazhdojë edhe sot e tutje ta ngrejë zërin e saj kundër akteve terroriste, pavarësisht se në cilën anë të botës ndodhin.

Kryeministri Davutoglu përshëndeti gjithashtu deklaratën e Presidentit francez, François Hollande, i cili ishte shprehur se “këta fanatikë, që kryen atentatet, nuk kanë asgjë të përbashkët me fenë islame”.

Ndër të tjera, Ahmet Davutoglu tërhoqi vëmendjen se Turqia, duke qenë se është një vend mysliman, mund të lehtësojë shumë zgjidhjen e problemeve në lidhje me integrimin evropian. “Nëse Turqia nuk do të ishte përballur me pengesa artificiale në rrugën drejt Bashkimi Evropian, por do të ishte integruar me shpejtësi pas referendumit të vitit 2004 në Qipro, të jeni të bindur që këto tensione kulturore nuk do të kishin arritur përmasat aktuale”, nënvizoi Davutoglu.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme