Presidenti Erdogan do të drejtojë mbledhjen e qeverisë

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan njoftoi se më 19 janar në pallatin presidencial në lagjen Beshtepe të Ankarasë do të kryesojë mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Republikës së Turqisë.

Presidenti Erdogan do të drejtojë mbledhjen e qeverisë

Presidenti Erdoan në përgjigje të interesit të gazetarëve pas vizitës që pati të hënën në selinë e Sindikatës Turk-Is, theksoi se qëllimi i vizitës së tij ishte për t'i dëgjuar personalisht problemet dhe kërkesat e një prej sindikatave më të mëdha në Turqi, si dhe për të diskutuar mënyrat për zgjidhjen e disa problemeve të tyre. Takimi u ndoq nga ministri turk i Punës dhe Politikës Sociale Faruk Çelik dhe kryetari i sindikatës Ergun Atalay.

I pyetur për takimin e paralajmëruar të Këshillit të Ministrave, i kryesuar nga Presidenti i vendit, Erdoan tha se thirrja e kësaj seance nuk është temë për tu shqetësuar, por një mundësi për të diskutuar hapat që mund të bëhen bashkërisht. Do të jetë hera e parë që presidenti i vendit do të kryesojë mbledhjen e qeverisë.

"Një marrëdhënie në distancë ndërmjet Presidentit dhe Qeverisë mund t'i bëjë të lumtur disa qarqe që kanë pikëpamje të tjera ndaj nesh, por ne nuk kemi ndërmend t'i bëjmë ata të lumtur. Jam i bindur se kjo do të jetë një seancë pune dhe shumë konstruktive" tha Erdoan.

Duke vënë në dukje se Republika e Turqisë nuk është "qytet i thjeshtë", por republikë që vepron në kuadër të Kushtetutës së saj, Erdoan tha se askush nuk duhet të shqetësohet për shkak të takimit të përbashkët të Presidentit dhe qeverisë.

Duke theksuar se kompetencat e Presidentit përcaktohen në mënyrë preçize në kornizën kushtetuese, Erdoan rikujtoi se edhe gjatë fushatës zgjedhore shpesh e kishte thënë se si president i zgjedhur nga populli do ta përdorë të gjithë autoritetin kushtetues që i është besuar.

Erdoan pohon se Kushtetuta e Turqisë i mundëson presidentit që në rast nevoje të thërrasë në mbledhje Këshillin e Ministrave dhe se për seancën e paralajmëruar ka biseduar edhe me kryeministrin Davutollu.

"Presidenti është kreu i këtij vendi dhe si i tillë ai ushtron pushtetin që ka. Megjithatë, në qoftë se disa flasin rreth tendencave për formimin e ‘mbipushtetit’, ju kujtoj se edhe gjatë fushatës zgjedhore e kam thënë se unë nuk do të jem 'president siç jemi mësuar deri më tani', kështu që nuk jam prej atyre që sillen me ta si të tillë. Përkundrazi, punoj në harmoni me qeverinë, punoj për përforcimin e saj."- tha Erdogan

Ai shtoi se suksesi i qeverisë nuk do të thotë sukses personali i tij, por vendi duhet të arrijë objektivat e synuara dhe në këtë kontekst duhet të mundësohet mbajtja e seancave të tilla herë pas here.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme