Yilmaz: Turqia gati të prodhojë avionin luftarak kombëtar

"Objektivi ri i Turqisë është prodhimi i avionit luftarak kombëtar", kështu ka deklaruar ministri turk i Mbrojtjes, Ismet Yilmaz.

Yilmaz: Turqia gati të prodhojë avionin luftarak kombëtar

Turqia ka realizuar deri më sot projekte shumë të rëndësishme në fushën e industrisë së mbrojtjes, ndërsa në kuadër të objektivave për vitin 2023, që përkon me 100-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë, është planifikuar që nevojat bazë të Forcave të Armatosura të prodhohen brenda vendit.

Në këtë kontekst, Turqia ka prodhuar tanke, anije, helikopterë, avionë stërvitorë, raketa dhe armë këmbësorie vendase. Tani objektivi ri i Turqisë është prodhimi i avionit luftarak kombëtar.

Gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve Anadolli (AA), ministri turk i Mbrojtjes, Ismet Yilmaz, ka deklaruar se i kushtojnë rëndësi të madhe investimeve në industrinë e mbrojtjes, e cila, siç njofton ai, ndikon në konsolidimin e Forcave të Armatosura të Turqisë.

Pasi ripohoi se ushtria turke renditet në mesin e 10 forcave të armatosura më të mëdha në botë, Yilmaz vijoi me këto fjalë: "Ne mbulojmë aktualisht 55 për qind të nevojave të përgjithshme të Forcave të Armatosura të Turqisë. Qëllimi ynë është që të mbulojmë plotësisht nevojat bazë të ushtrisë tonë deri në vitin 2023 dhe në këtë drejtim ne i vijomë projektet tona pa ndërprerje."

Siç thekson ministri turk i Mbrojtjes, synimi është që ushtria turke të përdorë armët e veta tokësore, detare e ajrore dhe për këtë nevojitet prodhimi i avionëve luftarakë vendas.

"Ne prodhojmë anije dhe të gjitha armët e artilerisë së këmbësorisë, përfshi këtu dhe tanket. Prodhojmë helikopterë e avionë trajnimi. Qëllimi ynë i ardhshëm është prodhimi i avionëve luftarakë. Kur ta arrimë këtë, Turqia do të jetë prodhues i armëve mbrojtëse për forcat të saj tokësore, detare dhe ajrore. Atëherë do të jemi plotësisht të pavarur dhe të fuqishëm. Nëse nuk keni industri mbrojtëse, është e pamundur të flitet për një pavarësi të plotë ushtarake. Kjo është arsyeja përse ne vazhdojmë të investojmë në këtë sektor ", nënvizoi ministri Yilmaz.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme