Policia turke arreston 25 persona "për komplot kundër qeverisë"

Policia turke arrestoi sot 25 persona në kuadër të operacionit kundër strukturës paralele, që synon përmbysjen e qeverisë aktuale në Turqi.

Policia turke arreston 25 persona "për komplot kundër qeverisë"

Sipas burimeve policore, të dyshuarit janë arrestuar në Stamboll, Eskisehir, Erzurum dhe Van.

Mes të arrestuarve janë kryeredaktori i të përditshmes “Zaman”, Ekrem Dumanli dhe presidenti i rrjetit transmetues “Samanyolu”, Hidayet Karaca, me dyshimin se kanë lidhje me lëvizjen Gulen.

Qeveria turke beson se lëvizja udhëhiqet nga Fethullah Gulen, predikues fetar turk që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka për qëllim infiltrimin në shtet.

Mes të arrestuarve spikasin gjithashtu ish-drejtori i Policisë së Provincës Siirt, Mutlu Ekizoglu dhe ish-drejtori i Policisë në Provincën Hakkari, Tufan Erguder.

Autoritetet policore shtojnë se në kuadër të operacionit parashikohet të arrestohen gjithsej 32 persona, përfshi këtu disa oficerë të lartë të policisë dhe punonjës të medias, në gjithsej 13 provinca të Turqisë.

Siç bëhet e ditur, të arrestuarit dyshohen se kanë ndërmarrë dëshmi të rreme dhe komplot kundër qeverisë turke që nga viti 2010, në kuadër të lëvizjes Gulen.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme