Këshilli i Sigurisë Kombëtare: Do luftohen strukturat paralele

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Turqisë zhvilloi të enjten në Pallatin “Çankaya” mbledhjen e zakonshme të muajit tetor.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare: Do luftohen strukturat paralele

Samiti në fjalë, i drejtuar për herë të parë nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan, rezultoi mbledhja më e gjatë e mbajtur ndonjëherë në historinë e Republikës së Turqisë për Sigurinë Kombëtare.

Për herë të parë në postet e tyre të reja, në këtë mbledhje morën pjesë edhe Kryeministri Ahmet Davutoglu, zv/kryeministrat Numan Kurtulmus dhe Yalçin Akdogan, ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu dhe komandanti i përgjithshëm i Xhandarmërisë, Gjeneralarmate Abdullah Atay.

Në komunikatën me shkrim, të publikuar pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, theksohet se do të vazhdohet me vendosmëri lufta kundër strukturave paralele dhe grupimeve të jashtëligjshme, të cilat ushtrojnë aktivitete ilegale nën ombrellën e ligjit, përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe prishin rendin publik.

Gjatë kësaj mbledhjeje kritike është rikonfirmuar edhe vendosmëria në lidhje me Procesin e Zgjidhjes (Procesi i Paqes) për t’i dhënë fund terrorit në vend.

Pjesë e agjendës së samitit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ishin gjithashtu pasqyrimet e klimës së konfliktit dhe kaosit në Siri, që dalëngadalë po lë pas edhe vitin e katërt, në drejtim të sigurisë e stabilitetit të Turqisë dhe rajonit.

Një tjetër pikë e rëndësishme e kësaj mbledhjeje ishte lufta kundër ISID-it dhe organizatave të tjera terroriste. Në këtë kontekst u shqyrtua në detaje dhe pozicioni i Turqisë në koalicionin ndërkombëtar, që është formuar nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sakaq, çështje të tjera, të cilat u trajtuan në mbledhjen më të gjatë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Turqisë ishin zhvillimet në Egje dhe Mesdheun Lindor, ato në Izrael e Palestinë, si dhe situata politike në Afganistan, Libi, Jemen, Ukrainë dhe Tunizi.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme