Erdogan: Dërgimi i peshmergëve në Kobani, propozim i yni

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të mërkurën se "e ka bërë personalisht propozimin" e dërgimit të peshmergëve kurdë për të ndihmuar forcat, që luftojnë kundër ISID-it në Siri, gjatë një bisede telefonike me homologun amerikan Barack Obama.

Erdogan: Dërgimi i peshmergëve në Kobani, propozim i yni

Përpara se të nisej për vizita dyditore në Letoni dhe Estoni, Erdogani iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth ngjarjeve aktuale në Turqi dhe rajon.

I pyetur në lidhje me lejimin e forcave peshmerge që të kalojnë nga veriu i Turqisë për në qytetin sirian Kobani, rreth të cilit disa media kanë shkruar se bëhet fjalë për presion të Uashingtonit mbi Ankaranë, Presidenti Erdogan ka thënë se për këtë është rënë dakord gjatë bisedës së tij telefonike me Obamën dhe se ky ishte propozim i Turqisë.

Peshmergët janë forcat e armatosura të udhëheqjes rajonale kurde në veri të Irakut.

Duke folur në konferencën për shtyp para nisjes për një vizitë zyrtare në Letoni, Erdogan tha gjithashtu se Turqia nuk e ka miratuar dhënien e armëve të huaja grupeve militante të jashtëligjshme. 

Kështu ai i referohej PYD-së, e cila konsiderohet filiali sirian i PKK-së, që renditet në listën e organizatave terroriste të Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ditëve të fundit, SHBA-të kanë lëshuar nga ajri kuti me armë dhe municione në qytetin e rrethuar sirian të Kobanit, për të ndihmuar grupin e luftëtarëve kurdë të udhëhequr nga PYD-ja, të cilët luftojnë në këtë qytet kundër militantëve të ISID-it që prej mesit të shtatorit.

Pasi ka vënë në pah se Ushtria Çlirimtare e Sirisë është aktualisht forca e vetme, që lufton kundër regjimit sirian dhe organizatës terroriste ISID, por edhe se kjo ushtri duhet të udhëheqë operacionet në Kobani dhe në tërë territorin e Sirisë, Erdogani ka thënë se gjatë bisedës telefonike me Obamën ka theksuar qartë se çdo ndihmë për grupin PYD në Siri është njëherësh edhe ndihmë për PKK-në, gjë e cila për Turqinë është e papranueshme.

Lideri turk ka tërhequr vëmendjen se tani të gjithë janë të vetëdijshëm që një pjesë e armëve të lëshuara nga ajri ka rënë në duart e ISID-it dhe operacione të tilla nuk arsyetohen.

"Kemi thënë se nuk do të pranojmë kurrfarë mbështetje për PKK-në dhe PYD-në. Për ne e pranueshme është përkrahja për Ushtrinë Çlirimtare të Sirisë dhe bashkëpunimi i mundshëm me forcat peshmerge. Qëndrimi i tyre ishte i atillë sa që udhëhoqi deri në ndërprerjen e procesit. PYD-ja fillimisht nuk e pranoi dërgimin e peshmergëve në Kobani, vetëm tani ata janë pjesërisht dakord me këtë ide", ka theksuar Erdogan.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme