Erdogan: Turqia, pro dialogut e paqes që prej fillimit të krizës

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se Turqia ka qenë pro dialogut dhe paqes që prej fillimit të krizës në rajon.

Erdogan: Turqia, pro dialogut e paqes që prej fillimit të krizës

"I drejtohem popullit turk, por edhe gjithë botës, se Turqia nuk mban anën e askujt në konfliktet, që zhvillohen në rajon. Turqia nuk mbështet asnjë sekt apo grup etnik. Ne kemi qenë mbështetës të paqes dhe dialogut që prej fillimit të krizave", ka thënë të premten Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, gjatë ceremonisë së përurimit të disa veprave në Trabzon.

Gjatë fjalimit të tij në Trabzon, lideri turk u përcolli ngushëllime të përzemërta familjarëve të policëve të vrarë në sulmin e armatosur në Bingol, duke theksuar se aktualisht vazhdojnë operacionet për kapjen e përgjegjësve dhe nxjerrjen e tyre përpara drejtësisë.

Ai u rikujtoi të pranishmëve në ceremoni se rajoni, pjesë e të cilit është edhe Turqia, po kalon një periudhë delikate dhe kritike. Po ashtu, Erdogani theksoi se Turqia nuk bënë dallime mes arabëve, turkmenëve, kurdëve, jazidëve apo siriakëve në Irak dhe Siri, duke shtuar se Turqia nuk ka bërë kurrë dallime mes shiitëve, sunitëve, myslimanëve, të krishterëve apo hebrenjve.

Erdogani tërhoqi vëmendjen se Turqia mban një qëndrim parimor, të drejtë dhe të përgjegjshëm ndaj të gjitha organizatave terroriste në rajon.

"Kjo për shkak se ne, në këtë shtet, kemi luftuar mbi 30 vjet kundër organizatës terroriste PKK dhe gjatë kësaj periudhe kemi humbur shumë qytetarë. Po ashtu, të njëjtin qëndrim ne mbajmë edhe ndaj organizatës terroriste ISID. Përveç kësaj, të gjitha organizatat terroriste për ne paraqesin kërcënim; kundër tyre ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme dhe do të jemi këmbëngulës", theksoi Presidenti turk.

Prej disa javësh, militantët e grupit ekstremist ISID po organizojnë sulme intensive kundër Kobanit, qytezë siriane në afërsi të kufirit me Turqinë; ndërkohë që në territoret turke kanë hyrë mbi 150 mijë refugjatë nga Siria dhe Iraku.

Sulmet ajrore të koalicionit ndërkombëtar, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë reduktuar kapacitetet e ISID-it dhe ngadalësuar përparimin e organizatës terroriste në fjalë drejt Kobanit dhe Bagdadit.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme