NATO do të veprojë në rast të sulmimit të Turqisë

Ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Ismet Jilmaz ka deklaruar se në rast të ndonjë sulmi ndaj Turqisë, NATO do të veprojë sipas nenit pesë të traktatit themelues të Uashingtonit.

NATO do të veprojë në rast të sulmimit të Turqisë

Ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Ismet Jilmaz (İsmet Yılmaz) ka deklaruar se në rast të ndonjë sulmi ndaj Turqisë, NATO do të veprojë sipas nenit pesë të traktatit themelues të Uashingtonit, sipas të cilit Aleanca e Atlantikut të Veriut mund të ndihmojë Turqinë për tu mbrojtur.

"Kur filluan ngjarjet në Siri, ne kërkuam nga NATO që të përgatisë një plan. NATO, duke shqyrtuar disa alternativa, e ka përgatitur këtë plan. Sipas tij, nëse ndodh që Turqia të sulmohet, NATO do të veprojë sipas nenit pesë të traktatit të NATO-s me faktin se Turqia është anëtare e Aleancës", ka deklaruar Jilmaz.

Neni pesë i traktatit themelues të NATO-s parashikon se çdo sulm ndaj njërës prej anëtarëve të Aleancës konsiderohet si sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare dhe lejon përdorimin e forcës ushtarake. Ky nen është zbatuar vetëm një herë deri më tani, pas sulmeve të 11 shtatorit në vitin 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Neni pesë i traktatit themelues të NATO-s është i qartë. Çdo sulm ndaj njërës prej anëtarëve të Aleancës konsiderohet si sulm ndaj të gjitha vendeve anëtare dhe lejon përdorimin e forcës ushtarake", ka deklaruar Ministri turk duke shtuar se këtë e ka konfirmuar edhe Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg.

Ai shtoi se Turqia do të përpiqet që ngjarjet në qytetin sirian Kobani, në afërsi të kufirit turk, ku vazhdojnë konfliktet mes militantëve të ISID-it dhe grupeve kurde, të kapërcehen me pasojat më të vogla të mundshme.

Pothuajse një muaj në territorin e Sirisë, në afërsi me kufirin turk vazhdojnë konfliktet e ashpra mes militantëve të ISID-it dhe grupeve kurde. Organizata ekstremiste ISID ka vendosur dje flamurin e saj në një nga ndërtesat e qytetit sirian Kobani (i njohur ndryshe si Ayn Arab). Kobani është qytet në krahinën Halep në veri të Sirisë, pranë kufirit me Turqinë.

Për shkak të konflikteve të intensifikuara tanket turke dhe automjetet e blinduara janë pozicionuar në kodrat në afërsi të kalimit kufitar Mursitpinar, në qytezën Suruç, në Turqi.

Organizata ISID gjatë muajve të fundit ka pushtuar disa qytete në Irak dhe Siri, ku ajo përdor dhunë, sidomos ndaj anëtarëve të grupeve minoritare. ISID më 29 qershor njoftoi se ka themeluar Kalifatin, ndërsa në krye të shtetit të tyre emëroi udhëheqësin Abu-Bakr Al-Baghdadi.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme