Çavushollu: Të krijohet një zonë e sigurt në Siri

Në një takim me kreun e OKB-së, ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlyt Çavushollu, nënvizoi domosdoshmërinë e krijimit të një zone të sigurt në Siri.

Çavushollu: Të krijohet një zonë e sigurt në Siri

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlyt Çavushollu, realizoi të hënën në Nju-Jork një takim me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun.

Kreu i OKB-së theksoi se kërcënimi i sigurisë rajonale buron nga paqëndrueshmëria në Siri, duke shtuar se kjo gjë ka efekte të fuqishme në të gjithë rajonin.

Ndërsa shefi i diplomacisë turke vuri në pah se kërcënimet në fjalë duhet të eliminohen nëpërmjet një strategjie gjithëpërfshirëse.

Duke sqaruar se Turqia gjendet çdo ditë përballë një vale të re refugjatësh sirianë, ministri Çavushollu nënvizoi domosdoshmërinë e krijimit të një zone të sigurt në Siri.

Çavushollu i kërkoi OKB-së që komuniteti ndërkombëtar të marrë përgjegjësi për refugjatët sirianë, që arratisen nga luftimet në vendin e tyre.

Pjesë e agjendës së takimit Çavushollu-Ban ishte gjithashtu problemi i Qipros.

Ban Ki-Muni tha se duhet shënuar më tepër progres në lidhje me çështjet, mbi të cilat palët kanë rënë dakord; kurse ministri Çavushollu theksoi se Presidenti i Republikës Turke të Qipros së Veriut, Dervish Erollu dhe Turqia janë plotësisht të angazhuara për zgjidhjen e problemit, madje vullnetin e tyre të palëkundur në këtë drejtim e shprehin me çdo rast.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme