Erdoan në Nju-Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan, gjendet në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në punimet e Sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Erdoan në Nju-Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Në Nju-Jork, Presidentin Erdoan e pret një trafik i ngjeshur takimesh.

Gjatë kësaj vizite në SHBA, kreu turk i shtetit shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Mevlyt Çavushollu; ministri i Integrimit Evropian dhe kreu i negociatave Ankara-Bruksel, Vollkan Bozkër; ministri i Mjedisit dhe Urbanistikës, Idris Gylyxhe; si dhe ministri i Ekonomisë, Nihat Zejbekçi.

Me të mbërritur në Nju-Jork, Presidenti Erdoan u informua rreth agjendës së punimeve të Sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Shtëpisë Turke, që po ndërtohet rishtazi në Shtetin Merilend.

Në kuadër të kontakteve të ditës së parë, Presidenti Erdoan do të presë delegacionin e Kongresit Botëror Hebraik (WJC) dhe do të mbajë një fjalim në Këshillin e Marrëdhënieve të Jashtme, një nga institucionet e mendimit (think tank) më të prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të tërheqë vëmendjen mbi zhvillimet kritike në rajon.

Më pas, Erdoani do të takohet me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun dhe do të organizojë në Shtëpinë Turke në Nju-Jork një recepsion me rastin e Sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Po ashtu, Presidenti Erdoan do të marrë pjesë në darkën, që do të shtrojë për nder të tij Mixha Ertegyn, bashkëshortja e Ahmet Ertegynit, një nga producentët muzikorë më të famshëm të botës dhe një ndërlidhës i shquar midis shtetarëve turq e amerikanë.

Ndërsa ditën e martë, më 23 shtator, lideri turk do të marrë pjesë në Samitin e OKB-së për Klimën dhe do të mbajë fjalimin e hapjes së sesionit.

Në kontekstin e trafikut të ngjeshur të kontakteve, Presidenti Erdoan do të takohet edhe me homologun e tij iranian, Hasan Ruhani.

Kurse me Presidentin amerikan, Barak Obama, kreu turk i shtetit do të takohet gjatë recepsionit, që do të jepet për nder të liderëve botërorë mysafirë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme