Davutollu në Qipro, apel për paqe Samarasit

Në konferencë të përbashkët me Presidentin turkoqipriot, Dervish Erollu, Kryeministri Ahmet Davutollu i bëri apel homologut grek për paqe në Qipro.

Davutollu në Qipro, apel për paqe Samarasit

Kryeministri Ahmet Davutollu, i cili po realizon në Republikën Turke të Qipros së Veriut (RTQV) vizitën e tij të parë jashtë shtetit si Kryeministër, organizoi një konferencë shtypi menjëherë pas takimit me Presidentin turkoqipriot, Dervish Erollu.

“Deshëm që Ishulli i Qipros të jetë një ishull paqeje; deshëm që nëpërmjet garantimit të paqes në Qipro të vendosej paqja dhe mirëqenia në Mesdheun Lindor. Por pavarësisht vullnetit të fuqishëm, që ne kemi shpalosur, fatkeqësisht të njëjtin reagim nuk e kemi parë nga pala tjetër”, deklaroi Kryeministri Davutollu.

Shefi i ekzekutivit turk i bëri edhe një apel për paqe homologut grek, Andonis Samaras. “Nëse Kryeministri i nderuar i Greqisë është i gatshëm, fillimisht të shkojmë bashkë në Jug, të pimë çaj dhe të bisedojmë. Pastaj të vijmë në Veri dhe sërish të takohemi. Mesdheu ka qenë përherë deti i përbashkët i shumë qytetërimeve, i shumë popujve. Ejani, së bashku të ndërtojmë këtu paqen”, u shpreh ai.

Ndërsa në lidhje me procesin e negociatave në Qipro, Kryeministri Davutollu u prononcua me këto fjalë: “Përpara kemi Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në sesionet e kësaj Asambleje të Përgjithshme të OKB-së mundësoni përsëri takimin e palëve; nëse është e nevojshme mbajini në një dhomë për ditë të tëra. Por tashmë në atë ishull, në Mesdheun Lindor të vijë paqja, mirëqenia dhe stabiliteti.”


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme