Çavushollu: Regjimi i Esadit pengesë për stabilitetin e rajonit

Stabiliteti dhe siguria e Irakut nuk mund të mendohet veçmas nga Siria dhe për sa kohë që ky regjim gjakatar do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, do të jetë e pamundur vendosja e stabilitetit në Irak dhe në rajon, tha shefi i ri diplomacisë turke në Paris.

Çavushollu: Regjimi i Esadit pengesë për stabilitetin e rajonit

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlyt Çavushollu (Mevlyt Çavushollu), mori pjesë në konferencën e mbajtur në Paris për “Paqe dhe Siguri në Irak”.

Në deklaratën që bëri përmes llogarisë së tij në Twitter Çavushollu tha se “problemet e sigurisë në rajon mund të zgjidhen vetëm nëse eliminohen shkaqet themelore që kanë sjellë lindjen e këtyre problemeve”.

Shefi i diplomacisë turke tha se është e rëndësishme për stabilitetin e vendit dhe të rajonit që qeveria e Bagdadit të përvetësojë një qasje që përfshin dhe përqafon të gjithë popullin e Irakut.

Çavushollu shprehu kënaqësinë që ndjen për krijimin e qeverisë së re në Irak, ndërsa shtoi se i kushtojnë rëndësi emërimit pa humbur kohë të ministrave në postet vakante të Punëve të Brendshme dhe Mbrojtjes.

Stabiliteti dhe siguria e Irakut nuk mund të mendohet veçmas nga Siria, nënvizoi Çavushollu, dhe shtoi: “për sa kohë që në Siri do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet regjimi gjakatar, do të jetë e pamundur vendosja e stabilitetit në Irak dhe në rajon”.

Pjesëmarrësit e Konferencës Ndërkombëtare me temë "Siguria dhe Paqja në Irak" në kryeqytetin francez Paris, pas përfundimit të takimit, publikuan një deklaratë të përbashkët në të cilën u tha se Qeveria e re e Irakut do të ketë çdo lloj mbështetjeje, duke përfshirë edhe atë ushtarake.

Në këtë deklaratë thuhet po ashtu se Shteti Islamik (SHI) nuk paraqet vetëm kërcënim për sigurinë e Irakut, por e gjithë botës dhe se sulmet ndaj civilëve irakianë paraqesin një goditje për të gjithë njerëzimin.

Pjesëmarrësit e Konferencës ndërkombëtare në Paris, e cila u zhvillua me qëllim për të shqyrtuar masat e luftës globale kundër ISID-it, janë pajtuar se krimet e ISID-it duhet të ndëshkohen.

Në deklaratën e përbashkët gjithashtu thuhet se është prioritet që Iraku të pastrohet nga elementet e ISID-it, po ashtu në atë kontekst të ndërmerren të gjitha masat përkrahëse për Qeverinë Irakiane, duke e përfshire edhe atë ushtarake.

Gjithashtu, gjatë konferencës është përmendur edhe nevoja e zbatimit të rezolutës së OKB-së 2170 në luftën kundër ISID-it dhe ndërprerja e burimeve të tyre financiare.

Sigurimi i ndihmës humanitare dhe ndihmës në rindërtim për vendet e shkatërruara të Irakut janë çështjet për të cilat është arritur marrëveshja në Konferencën e Parisit.

Në Konferencën ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në Irak të mbajtur në Paris morën pjesë zyrtarët e Francës, Turqisë, Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Danimarkës, Holandës, Irakut, Britanisë së Madhe, Spanjës, Italisë, Kanadasë, Katarit, Kuvajtit, Libanit, Egjiptit, Norvegjisë, Rusisë, Arabisë Saudite, Omanit, Bahreinit, Japonisë, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bashkimit Evropian (BE) dhe zyrtarët e Kombeve të Bashkuara.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme