Ishler: Turqia, zëri i vetëm kundër mizorisë së Izraelit

“Izraeli godet Gazën, shoqëria ndërkombëtare qëndron e heshtur, i vetmi zë ngrihet nga Turqia”, deklaroi zv/kryeministri turk, Emrullah Ishler.

Ishler: Turqia, zëri i vetëm kundër mizorisë së Izraelit

Zv/kryeministri i Turqisë, Emrullah Ishler, përcolli mesazhe të rëndësishme në lidhje me operacionin ajror e tokësor të Izraelit në Gazë, ofensivë kjo që ka degraduar në krime kundër njerëzimit.

Pasi vuri në pah se Turqia është vendi, që ka reaguar më fuqishëm kundër vrasjes së civilëve në Gazë pa bërë dallime në foshnja, gra e fëmijë, nga ushtria izraelite, zv/kryeministri Ishler u shpreh me këto fjalë: “Disa shqetësohen nga kjo situatë. Por le të shqetësohen, sepse ne do të vazhdojmë t’u dalim krah të shtypurve.”

Ai tërhoqi vëmendjen gjithashtu mbi heshtjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendeve perëndimore, madje dhe vendeve islame ndaj sulmeve, që vijojnë prej 16-17 ditësh në Gazë, ku Izraeli po përdor edhe armë të ndaluara me konventa ndërkombëtare.

“Izraeli po sulmon vazhdimisht prej 16-17 ditësh, duke përdorur madje dhe armë të ndaluara. Pa pikë mëshire, po vret me bomba foshnja, fëmijë, civilë të pafajshëm, gra dhe të moshuar në shtëpitë e tyre, në sofrat e tyre, duke ngrënë syfyrin apo iftarin. Ua shemb shtëpitë mbi kokë. Dhe po të shikojmë shoqërinë ndërkombëtare përballë kësaj situate, zëri më buçitës ngrihet nga Turqia. Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së kanë mbetur pa sy, pa veshë, pa gojë. Po ashtu dhe vendet perëndimore, kanë bërë njërin sy qorr dhe njërin vesh shurdhë. Ndërsa ajo më e dhimbshmja është heshtja e vendeve islame, që po na pikëllon të gjithëve. Kur i vetmi zë përballë kësaj situate pikëlluese ngrihet nga Turqia, disa shqetësohen. Por edhe ne themi që le të shqetësohen. Ne kemi një përgjegjësi, që buron nga historia; kemi një traditë të rrënjosur. Ne, si popull, u kemi dalë krah gjithnjë të vetmuarve, të vobektëve, të shtypurve, të pafajshmëve dhe kemi mbrojtur përherë të drejtën. Kjo do të jetë kështu edhe në vijim. Pavarësisht se çfarë thonë të tjerët, ne do ta vazhdojmë këtë politikë tonën”, deklaroi zv/kryeministri turk, Emrullah Ishler.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme