Gyl, apel shoqërisë ndërkombëtare për paqe të qëndrueshme në Gazë

Presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl, i bëri apel opinionit publik ndërkombëtar që të vihet në veprim për vendosjen e armëpushimit dhe paqes së qëndrueshme në Gazë.

Gyl, apel shoqërisë ndërkombëtare për paqe të qëndrueshme në Gazë

“U bëj thirrje palëve të interesuara që, teksa nga njëra anë përpiqen për vendosjen e armëpushimit emergjent në Gazë, nga ana tjetër të ndërmarrin sërish një nismë serioze dhe gjithëpërfshirëse për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë”, deklaroi Gyl.

Nëpërmjet një komunikate me shkrim, kreu turk i shtetit u shpreh se me shpalljen e “zisë kombëtare” treditore, shteti dhe populli i Turqisë janë solidarizuar me dhimbjen e palestinezëve.

“Barbaria dhe masakra, të cilat populli i Palestinës po i vuan pa bërë dallim në gra e fëmijë, vazhdojnë t’i shkaktojnë plagë të thella ndërgjegjes së Turqisë dhe popujve të mbarë botës”, shtoi ai.

Pasi i rikujton opinionit publik ndërkombëtar se populli palestinez jeton prej më shumë se 60 vitesh nën pushtim dhe presion, Presidenti Gyl theksoi se këto sulme fatkeqësisht jo vetëm që nuk janë të parat, por mund të mos jenë as të fundit.

Në detaje të komunikatës me shkrim, kreu turk i shtetit u bën thirrje palëve për armëpushim urgjent dhe nënvizon se, në rast të mungesës së një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë, nga kjo ecuri do të dëmtohen të gjithë.

“I ftoj edhe njëherë të gjitha shtetet dhe organizatat ndërkombëtare të interesuara që të lënë mënjanë, qoftë edhe për pak kohë, llogaritë e tyre afatshkurtra apo interesin e ngushtë dhe të vënë në veprim diplomacinë, dialogun dhe mekanizmat politike, pa humbur kohë dhe me sinqeritet, për ndërtimin e paqes dhe sigurisë për të gjithë”, thekson Presidenti Abdullah Gyl në fund të komunikatës së tij me shkrim, publikuar sot në uebsajtin zyrtar të Presidencës së Republikës së Turqisë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme