Gyl: Izraeli të ndalë sulmet dhe të harrojë operacionin tokësor

Presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl, nëpërmjet një komunikate me shkrim të publikuar në portalin zyrtar të Presidencës, shprehu shqetësimin e tij në lidhje me përshkallëzimin e dhunës në rajone të ndryshme të botës, në krye të së cilave renditet padyshim Lindja e Mesme.

Gyl: Izraeli të ndalë sulmet dhe të harrojë operacionin tokësor

“Izraeli duhet të ndalë sulmet ajrore ndaj Gazës dhe të mos ndërmarrë në asnjë mënyrë një operacion tokësor”, deklaroi presidenti turk duke reaguar ashpër ndaj sulmeve izraelite në Gazë.

“I ftoj të gjitha palët që të vënë në veprim pa u vonuar dhe sinqerisht diplomacinë, dialogun dhe mekanizmat politike”, thekson ai, duke e adresuar zgjidhjen e problemeve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe forumet rajonale.

“Në të kundërt, nga kjo ecuri do të pësojnë dëme të gjithë. Nëse vazhdon kështu, askush nuk do të dalë i fituar”, paralajmëron kreu turk i shtetit, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të ndalin urgjentisht luftimet.

Presidenti Gyl, i cili në këtë komunikatë me shkrim ndalet gjithashtu mbi hapat politike, që mund të hidhen për normalizimin e situatës, thekson se “Izraeli duhet të ndalë sulmet ajrore ndaj Gazës dhe të mos ndërmarrë në asnjë mënyrë një operacion tokësor; ndërsa palët duhet t’u kthehen kushteve të armëpushimit, që është shpallur në vitin 2012”.

Teksa tërheq vëmendjen se të gjithë aktorët politikë në Irak duhet të bëjnë sakrifica të mëdha për krijimin e qeverisë së re sa më parë të jetë e mundur, lideri turk vijon me këto fjalë: “Përparësi i duhet kushtuar arritjes së bashkimit kombëtar. Të gjithë duhet t’u shmangen qasjeve me bazë sektare dhe etnike.”

Ai gjithashtu kërkoi lirimin e menjëhershëm të qytetarëve turq, që janë marrë peng në Irak.

“Allahu i mëshiroftë të gjithë njerëzit e pafajshëm, mes të cilëve shumë gra e fëmijë, të cilët janë bërë pre e dhunës dhe luftimeve të provokuara nga konfliktet politike në kundërshtim me frymën e këtij muaji të shenjtë të ramazanit. Të gjithë të plagosurve u uroj shërim të shpejtë, ndërsa pengjeve turke dhe familjeve të tyre durim të madh”, thuhet në fund të deklaratës së Presidentit të Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme