Atallaj: Takimi Erdoan-Gyl, përcaktues i kandidatit të Partisë AK

Zv/kryeministri turk, Beshir Atallaj, vlerësoi për mediat takimin e djeshëm ndërmjet Kryeministrit Rexhep Tajip Erdoan dhe Presidentit Abdullah Gyl për kandidatin e Partisë AK në zgjedhjet presidenciale të muajit gusht.

Atallaj: Takimi Erdoan-Gyl, përcaktues i kandidatit të Partisë AK

“Gjatë këtij takimi është vendosur se kush do të jetë kandidati i Partisë AK”, deklaroi zv/kryeministri Atallaj.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në një kanal televiziv privat, Atallaj bëri të ditur që në rast se Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan vendos kandidaturën dhe zgjidhet president, atëherë do të gjendet një formulë e ndërmjetme në lidhje me emrin, që do të marrë postin e kryeministrit.

“Nëse rezidenca e re e Kryeministrit Erdoan bëhet Pallati Presidencial Çankaja, atëherë qeverinë do ta formojë një deputet i Partisë AK; ndërsa procesi për kryesinë e Partisë AK do të avancojë sipas terrenit ligjor dhe brenda 45 ditëve forca politike do të organizojë kongresin e jashtëzakonshëm”, theksoi Atallaj.

Kurse në përgjigje të pyetjes “A do të kalojë Turqia në sistemin presidencial?”, zv/kryeministri turk u shpreh me fjalët: “Do të jetë më e lehtë po qe se i fitojmë zgjedhjet parlamentare të vitit 2015 në mënyrë që të mund të ndryshojmë kushtetutën. Atëherë sistemi presidencial jetësohet dhe vet presidenti do ta ketë punën më të lehtë.”

Sakaq, zv/kryeministri Atallaj u ndal gjithashtu mbi procesin e zgjidhjes për t’i dhënë fund terrorit në vend. “Hartuam ligjin më esencial dhe arritëm të përfshijmë brenda tij të gjitha çështjet. Këtej e tutje ndoshta do të dalin edhe ligje të tjera në lidhje me këto çështje. Tani do të nxjerrim hartën rrugore, po punojmë me vetëmohim. Do të punohet edhe për sa i takon hapave, që shteti do të bëjë në lidhje me çarmatimin dhe rikthimin në shtëpi. Ndoshta do të aktivizohen ligje të reja”, tha ai.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme