Çavushollu: Të hapen urgjentisht kapitujt e bllokuar politikisht

Mbledhja e radhës e Këshillit të Partneritetit, organi më i lartë vendimmarrës ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian, u mbajt të dielën në Luksemburg.

Çavushollu: Të hapen urgjentisht kapitujt e bllokuar politikisht

Ministri i Integrimit Evropian, Mevlyt Çavushollu, i cili përfaqësoi Turqinë në këtë takim, deklaroi se Ankaraja do të bëjë çfarë i takon në procesin e anëtarësimit me të drejta të plota në BE, por edhe se të njëjtën gjë presin gjithashtu nga Brukseli.

Po ashtu, Çavushollu theksoi se duhet të hapen urgjentisht kapitujt e negociatave, që janë bllokuar për motive politike.

Të pranishëm nga pala evropiane në këtë mbledhje ishin ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Evangelos Venizellos, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, si dhe Komisionari Evropian i Zgjerimit, Shtefan Fyle.

Në një prononcim pas takimit në fjalë, Fyle tërhoqi vëmendjen se vazhdimi i negociatave për anëtarësimin e Turqisë në Union është në interes të të dyja palëve.

Komisionari evropian i Zgjerimit u shpreh i kënaqur nga progresi i Ankarasë për sa i përket reformave, përfshi këtu dhe paketën e 3-të të reformës së gjyqësorit.

Ndërsa ministri turk i Integrimit Evropian, Mevlyt Çavushollu, i cili sqaroi se në mbledhjen e 52-të të Këshillit të Partneritetit u trajtuan me të gjitha përmasat e tyre marrëdhëniet Ankara-Bruksel, nënvizoi se palës së BE-së i kanë përcjellë vendosmërinë e fuqishme politike të Turqisë për vijimësinë e reformave.

Ai bëri me dije gjithashtu se në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave pritet që Bashkimi Evropian të veprojë me drejtësi dhe i orientuar në objektivë.

Pasi sqaroi se 2014-a është viti i Bashkimit Evropian për Turqinë dhe se Ankaraja do të bëjë çfarë i takon në procesin e anëtarësimit me të drejta të plota në Union, kreu i negociatave Ankara-Bruksel vijoi me këto fjalë: “Aktualisht është 17 numri i kapitujve të bllokuar për motive politike; të gjithë këta kapituj duhet të hapen pa pasur më shumë vonesë.”

Sakaq, ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizellos, nga ana e tij nënvizoi se Turqia është një partnere strategjike dhe një vend kyç për Bashkimin Evropian.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme