Davutollu: Të mos ndërtojmë një "Mur Berlini" në Ukrainë

Kryeqyteti Vjenë i Austrisë mirëpriti sesionin e 124-t të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që në fokus kishte zhvillimet në Ukrainë. Në këtë mbledhje Turqia u përfaqësua nga ministri i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutollu.

Davutollu: Të mos ndërtojmë një "Mur Berlini" në Ukrainë

Kryeqyteti Vjenë i Austrisë mirëpriti sesionin e 124-t të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që në fokus kishte zhvillimet në Ukrainë.

Në këtë mbledhje Turqia u përfaqësua nga ministri i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutollu.

Pika kryesore e agjendës së takimit, ku morën pjesë kryediplomatët e 47 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, përbëhej nga zgjedhjet presidenciale të 25 majit në Ukrainë.

Autoritetet britanike dhe ato ukrainase mbrojtën idenë se zgjedhjet duhet të mbahen në datën e parashikuar, në mënyrë të drejtë dhe të lirë; ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, e kundërshtoi këtë gjë duke e arsyetuar si të gabuar mbajtjen e zgjedhjeve përpara realizimit të reformës kushtetuese.

Stabiliteti në Evropë, demokracia pluraliste, të drejtat e njeriut dhe mbisundimi i ligjit ishin vetëm disa nga kryefjalët e sesionit të 124-t të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutollu, gjatë fjalimit të tij në mbledhje, vuri në pah se kriza në Ukrainë mund të zgjidhet me më shumë diplomaci.

Pasi theksoi se në Ukrainë duhet të mbrohet tërësia territoriale, reduktohet polarizimi politik dhe realizohet reforma politike, shefi i diplomacisë turke sqaroi se ndërkohë që garantohet integriteti territorial i vendit, duhen respektuar gjithashtu njerëzit, të cilët u përkasin grupeve të ndryshme gjuhësore dhe etnike.

"Të mos ndërtojmë një 'Mur Berlini' të ri në këtë apo atë zonë të Ukrainës, por t'i bëjmë kufijtë më elastikë, në mënyrë që popujt ta ndërtojnë të ardhmen së bashku", tha ai.

Më tej, ministri Davutollu shprehu shqetësimin e tij personal dhe të Ankarasë zyrtare për pengimin e hyrjes në vend të liderit të tartarëve të Krimesë, Mustafa Abdulxhemil Kërëmollu.

Në fund të mbledhjes, kryesia e radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës i kaloi me ceremoni Azerbajxhanit.

Kryediplomati turk, Ahmet Davutollu, në kuadër të mbledhjes në fjalë, realizoi takime dypalëshe me homologë nga Britania e Madhe, Zvicra, Serbia, Ukraina dhe Austria.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme