Shtypi turk 25.09.2019

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga mediat e shkruara turke për sot, e mërkurë, 25 shtator 2019:

1276035
Shtypi turk 25.09.2019

“Yeni Safak”: Paqe dhe drejtësi për të gjithë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan, në fjalën e tij të mbajtur të martën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara, u rikujtoi udhëheqësve botërorë vogëlushin Aylan dhe miliona refugjatë, pushtimin e pangopur të Izraelit, Kashmirin, Afganistanin, dramën në Mianmar dhe armiqësinë në rritje kundër islamit në Perëndim. Presidenti Erdogan në fjalimin e tij historik që mori duartrokitje të madhe tha: “Liri për të gjithë, paqe për të gjithë, drejtësi për të gjithë”.

“Hurriyet”: Çavusoglu i përgjigjet ministrit greko-qipriot

Ministri Çavusoglu në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork të ShBA-së, ku ndodhet për punimet e Asamblesë së Përgjithshme u takua me ministrin e Jashtëm greko-qipriot, Nikos Hristodoulidis, i cili me të parë ministrin Çavusoglu iu afrua dhe e pyeti për çështjen e federatës. Shefi i diplomacisë turke iu përgjigj duke thënë se “Lideri yt e refuzoi këtë. Fillimisht duhet të vendosim se për çfarë do të negociojmë”.

“Vatan”: FMN-ja deklarohet për Turqinë

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) deklaroi se këtë vit nuk pret tkurrje në ekonominë turke. Në një raport vlerësimi të publikuar nga FMN-ja thuhet se ekonomia turke ka regjistruar një rritje të fortë viteve të fundit dhe se reformat e gjera makroekonomike dhe strukturore mbështesin rritjen e saj. Raporti i FMN-së gjithashtu thekson se lira turke u rimëkëmb dhe se gjendja e llogarisë rrjedhëse u përmirësua ndjeshëm.

“Haberturk”: Kusadasi vizitohet nga 2 mijë e 630 turistë të ardhur me 3 kroçera

Nënprefektura Kusadasi e Aydinit, e cila është një prej qendrave të rëndësishme të turizmit të kroçerave, mirëpriti 3 anije gjigante dhe përjetoi njërën prej ditëve më intensive të sezonit. Në portin detar “Ege Port” të Kusadasi të martën në mëngjes u ankoruan kroçerat “Wind Star” dhe “Seven Seas” që lundrojnë me flamurin e Bahamës dhe kroçera “Celestyal Olympia”, e cila lundron me flamurin e Maltës. Një pjesë nga 2 mijë e 630 turistëve të ardhur, shumica e të cilëve janë amerikanë, iu bashkëngjitën tureve turistike në Efes dhe Shën Mari, ndërsa disa turistë të tjerë dhe 1 mijë e 500 punonjës të anijeve vizituan qendrën e nënprefekturës.

“Sabah”: Melis Ozçigdem angazhohet nga UEFA

Arbitra turke me kokardë të FIFA-s, Melis Ozçigdem në Ligën e Kampionëve të UEFA-s për femra, sot do ta udhëheq ndeshjen mes ekipeve Wolfsburg të Gjermanisë dhe Mitrovicës së Kosovës. Sipas një deklarate nga Federata e Futbollit të Turqisë, Ozçigdem do të ndihmohet nga Betul Nur Yilmaz dhe Deybet Gok. Ndërkaq arbitra e katërt në ndeshje do të jetë Cansu Tiryaki.    

 



Lajme të ngjashme