Shtypi botëror 16.03.2016

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar sot nga mediat botërore:

Shtypi botëror 16.03.2016

Agjencia ruse e lajmeve “Sputnik" – “Forcat izraelite vrasin edhe palestinezët e vdekur"

Autopsia e tre palestinezëve, me emrat Kasim Ferid Xhebir, Emir Fuad al-Xhenejdi dhe Velid Tarayra dhe të vrarë pardje nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor, ka shpalosur para syve një të vërtetë edhe më të hidhur. Eshref Meshal, i cili drejton zyrën e prokurorisë në qytetin Al-Halil të Bregut Perëndimor, thotë se përfundimet e autopsisë tregojnë se mbi trupat e pajetë është qëlluar me armë edhe disa herë të tjera. Rasti është i ngjashëm me atë të 20-vjeçarit Muhammed Ebu Halef, që u vra muajin e kaluar sërish nga ushtria izraelite. Ebu Halef në 19 shkurt ishte qëlluar dy herë, por ushtarët izraelitë nuk ishin mjaftuar me kaq, ata kishin vazhduar të qëllonin akoma mbi trupin e Ebu Halefit edhe pse ishte i shtrirë në tokë. Pamjet që flasin për këtë skenë makabre ishin xhiruar edhe nga kamerat e televizionit të Al Xhezirës. Që nga tetori i vitit 2015 e këtej ushtarët izraelitë kanë vrarë 200 palestinezë.

-*-*-*-*-*-*-*-

Radioja ndërkombëtare e Kinës, CRI: “Marrëdhëniet kino-japoneze drejt përmirësimit"

Kryeministri kinez, Li Keqiang në konferencën e shtypit që organizoi sot në mëngjes i bëri një vlerësim edhe samitit Kinë-Japoni-Kore e Jugut. Li Keqiang tha se mbarëvajtja e këtij mekanizmi (bisedimesh treshe) varet nga të tre vendet, në veçanti nga ecuria e marrëdhënieve kino-japoneze. Për momentin në marrëdhëniet Kinë-Japoni po vihet re një prirje drejt përmirësimit, por kjo shtoi ai, është ende shumë e brishtë. Të dyja vendet duhet të ecin në përshtatje me konsensusin e arritur mbi problemet prioritare, u shpreh Li duke shtuar se nuk duan që të kthehen prapa nga kjo rrugë.

-*-*-*-*-*-*-*-

Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA: “Irani është i vendosur në zhvillimin e marrëdhënieve me vendet aziatike"

Lideri fetar i Iranit, Ajetullah Hamanej në fjalën që mbajti gjatë pritjes së Presidentit të Vietnamit, Trang Tan Sang, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Teheran, tha se Irani i kushton një rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me vendet aziatike, kryesisht me Vietnamin. “Ne jemi për bashkëpunimin me ju edhe në arenën ndërkombëtare dhe duam që ky bashkëpunim të jetë në nivelet më të larta, aty ku ka mundësi bashkëpunimi", i tha Hamanej mysafirit nga Vietnami. Ndërsa Presidenti i Vietnamit e falënderoi Iranin për mbështetjen që po i jep vendit të tij në arenën ndërkombëtare, duke shtuar se edhe Vietnami e përkrah Iranin në platformat ndërkombëtare dhe prodhimin e energjisë nukleare nga Teherani e pranon si një të drejtë të natyrshme të Iranit, ndërsa shtoi se Iranin do të vazhdojnë ta përkrahin edhe në të ardhmen".

-*-*-*-*-*-*-*-

Zëri i Amerikës në turqisht: “Mbyllet metroja e Uashingtonit"

Sistemi i metrosë në kryeqytetin amerikan, Uashington deri nesër në mëngjes do të jetë plotësisht i mbyllur. Edhe pse autoritetet pohojnë se kjo ka ndodhur për shkak të mirëmbajtjes së kabllove elektrike që furnizojnë metronë, vendimi i marrë në mënyrë të papritur pritet të paralizojë sot trafikun në Uashington. Kjo është hera e parë që metroja e Uashingtonit mbyllet në historinë e saj 40-vjeçare për një arsye që nuk ka të bëjë me kushtet apo fatkeqësitë natyrore. Pas Nju-Jorkut, Uashingtoni ka rrjetin më të madh të transportit nëntokësor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sistemi i metrosë në Uashington ka një gjatësi prej 188 km. Autoritet e metrosë një vendim të tillë e morën pas vonesave që shkaktoi në tre trena nëntokësor një zjarr që kishte rënë të hënën në njërin prej tuneleve të metrosë.


Lajme të ngjashme