“Topi i Artë” i shkon argjentinasit Messi për herë të shtatë

Lionel Messi, sulmues i kombëtares së Argjentinës dhe skuadrës franceze të Paris Saint-Germain, fitoi çmimin prestigjioz “Topi i Artë” (Ballon d'Or) si futbollisti më i mirë në botë.

1740966
“Topi i Artë” i shkon argjentinasit Messi për herë të shtatë

Për 34-vjeçarin, i cili mundi sulmuesin polak Robert Lewandowski të Bayern Munich dhe mesfushorin italian Jorginho të Chelsea, ky është triumfi i shtatë në garën për çmimin që jepet nga revista “France Football” prej vitit 1956.

Messi e ka fituar këtë çmim gjithashtu në vitet 2009, 2010, 2011, 2012, 2015 dhe 2019.

Lewandowski u shpall sulmuesi i vitit, ndërsa Chelsea fitoi çmimin special për arritjet në futboll për meshkuj dhe femra.

Italiani Gianluigi Donnarumma mori çmimin “Jashin” për portierin më të mirë të vitit.

Radhitja e sivjetme e publikuar nga “France Football” për 10 futbollistët më të mirë në botë është: Lionel Messi, Robert Lewandowski, Jorginho, Karim Benzema, N'Golo Kante, Cristiano Ronaldo, Mohamed Salah, Kevin De Bruyne, Kylian Mbappe, Gianluigi Donnarumma.

Çmimi për futbollistin e ri më të mirë në botë shkoi për 19-vjeçarin spanjoll Pedri, mesfushori i Barcelonës.

Alexia Putellas, mesfushore e kombëtares së Spanjës dhe ekipit të Barcelonës, mori çmimin individual për femra.

Ceremonia e çmimit “Topi i Artë” nuk u mbajt vitin e kaluar për shkak të pandemisë së llojit të ri të koronavirusit.

Prezantues të ceremonisë në Teatrin “Chatelet” të Parisit ishin gazetarja Sandy Heribert dhe ish-futbollisti Didier Drogba, i cili luajti për pak kohë edhe me fanellën e Galatasaray.



Lajme të ngjashme