Shfaqet në një turne në Pekin tenistja e zhdukur Peng Shuai

Organizatorët e “China Open” publikuan një video ku shihet Peng duke qëndruar pranë terrenit duke përshëndetur me dorë dhe duke firmosur topat e tenisit për fëmijët.

1736617
Shfaqet në një turne në Pekin tenistja e zhdukur Peng Shuai

Mediat kineze publikuan një video ku shihet tenistja e njohur Peng Shuai, e cila u shfaq në turneun e të rinjve në Pekin, për të cilën nuk dihej asgjë prej gati tri javësh që kur ajo akuzoi ish-zëvendëskryeministrin kinez Zhang Gaoli për ngacmim seksual në rrjetet sociale.

Organizatorët e turneut China Open postuan një video në rrjetin social kinez Weibo, në të cilën Peng shihej duke qëndruar pranë terrenit duke përshëndetur me dorë dhe duke nënshkruar topat e tenisit për fëmijët.

Në njoftim nuk thuhet asgjë lidhur me zhdukjen e saj, as akuzat që ajo bëri ndaj anëtarit të lartë të Partisë Komuniste Kineze në pushtet.

Pamjet erdhën pasi media shtetërore ndau një postim nga Hu Xijin, kryeredaktor i Global Times, i cili deklaroi se Peng ishte e lirë, qëndronte në shtëpinë e saj dhe së shpejti do të shfaqej në publik dhe do të merrte pjesë në disa ngjarje.

Kombet e Bashkuara u kanë kërkuar autoriteteve kineze të japin informacion mbi vendndodhjen dhe gjendjen e tenistes Peng Shuai.

Televizioni shtetëror kinez CGTN kohët e fundit publikoi përmbajtjen e një letre që supozohej se ishte shkruar nga tenistja e zhdukur, por kreu i Federatës së Tenisit të Grave (WTA) Steve Simon tha se letra nuk jepte përgjigje për pyetjet në lidhje me vendndodhjen dhe gjendjen e Peng.

Më 2 nëntor, një nga yjet më të mëdhenj të sportit të Kinës, Peng, akuzoi Gaolin në rrjetin social Weibou se e kishte detyruar atë për marrëdhënie intime tre vjet më parë.

Qeveria kineze ende nuk është prononcuar lidhur me akuzat. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, i cili merret me mediat ndërkombëtare, u tha gazetarëve se ai nuk ishte në dijeni të situatës dhe se rasti nuk ishte "çështje diplomatike". (Anadolu Agency - AA)



Lajme të ngjashme