Futboll – Barcelona shkarkon trajnerin Ernesto Valverde, e zëvendëson me Quique Setien
Barcelona ka shkarkuar trajnerin Ernesto Valverden për ta zëvendësuar atë me Quique Setien, një përpjekje kjo për t'i dhënë një tjetër kuptim këtij sezoni.

Eliminimi në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës ndaj Atletico Madridit (3-2), por edhe rezultatet e fundit në kampionat, e kanë detyruar presidentin Josep Maria Bartomeu të shkëpusë marrëdhëniet me Ernesto Valverden.
Në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, Barcelona bëri të ditur me një komunikatë në faqen zyrtare shkarkimin e 55-vjeçarit, të cilin e falënderon për punën e bërë dhe i uron suksese në të ardhmen.
Ernesto Valverde u ul në stolin e Barcelonës pas largimit të Luis Enriques në verën e vitit 2017 dhe në këto 2 vite e gjysmë arriti të fitonte 2 tituj kampion në Spanjë (2017-2018 dhe 2018-2019), 1 Kupë Mbreti (2017-2018) dhe 1 Superkupë të Spanjës (2018); ndërkohë që në Ligën e Kampioneve s u eliminua në mënyrë të turpshme me përmbysje një herë nga Roma dhe një herë nga Liverpooli.
Në fund të javës 19-të të kampionatit spanjoll, Barcelona kryeson përpara Real Madridit me diferencë golash.
Valverde është trajneri i katërt që shkarkohet teksa skuadra e tij kryeson kampionatin, në historinë e La Ligas.
Pasi u refuzua nga emra si Ronald Koeman dhe Xavi Hernandez, Barcelona ka gjetur menjëherë pasuesin e Valverdes dhe ai është Quique Setien.
Ish-trajneri 61-vjeçar i Lugos (2009-2015), Las Palmasit (2015-2017) dhe Real Betisit (2017-2018) ka firmosur për 2 vite e gjysmë deri më 30 qershor 2022.