WADA përjashton Rusinë për 4 vite nga garat e mëdha ndërkombëtare

Agjencia Botërore e Antidopingut (WADA) ka përjashtuar Rusinë për 4 vite nga lojërat olimpike dhe kampionatet botërore me arsyetimin për moszbatim të rregullave të antidopingut.

1321667
WADA përjashton Rusinë për 4 vite nga garat e mëdha ndërkombëtare

Duke folur pas mbledhjes së bordit drejtues në Lozanë të Zvicrës, zëdhënësi i WADA-s, James Fitzgerald, tha se rekomandimet për pezullimin e Rusisë nga organizimet e mëdha sportive të nivelit global janë miratuar njëzëri.

Sipas vendimit, himni dhe flamuri i Rusisë nuk do të jenë pjesë e Lojërave Olimpike 2020 në Tokio dhe e Kampionatit Botëror të Futbollit FIFA 2022 në Katar.

Megjithatë sportistët rusë kanë mundësi të marrin pjesë në Tokio 2020 me flamurin olimpik nëse kalojnë me sukses testet e antidopingut.

Rusia duhet ta pranojë ose apelojë vendimin e WADA-së në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) brenda 21 ditëve.

Ky vendim e pengon Rusinë të kandidojë për organizimin e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike 2032.

Nga ana tjetër, pavarësisht vendimit në fjalë, Rusia mund të marrë pjesë në Kampionatin Evropian në Futboll UEFA 2020 si një prej vendeve organizatore të garës, pasi UEFA nuk bën pjesë në listën e federatave të mëdha të WADA-së.

Rusia qe pezulluar edhe në vitin 2015 me arsyetimin se sportistët kishin përdorur doping sistematikisht me mbështetje shtetërore gjatë Lojërave Olimpike Dimërore 2014 në Soçi.

Në Lojërat Olimpike Dimërore 2018 në Pyeongchang të Koresë së Jugut 168 sportistë rusë patën garuar individualisht në mënyrë të pavarur.

Kryeministri Dmitry Medvedev, ministri i Sportit, Pavel Kolobkov dhe shumë autoritete të tjera ruse reaguan ashpër ndaj vendimit të WADA-së.

“Ky vendim është vazhdim i histerisë antiruse, e cila ka marrë një trajtë kronike aktualisht”, deklaroi Medvedev duke theksuar se vendimet e tilla po përsëriten shpeshherë.

Ai shtoi se institucionet përkatëse duhet të apelojnë kundër vendimit të WADA-së.

Ndërsa ministri Kolobkov tërhoqi vëmendjen se sportistët e pafajshëm dhe ata fajtorë nuk duhet të futen në një thes.

“Ne kundërshtojmë faktin që WADA-ja ua ngarkon përgjegjësinë të gjithë sportistëve tanë. Atletët duhet të përgjigjen individualisht për shkeljet e rregullave të antidopingut. Ekspertët tanë dhanë përgjigje bindëse për paralajmërimet e WADA-së. Për fat të keq, përgjigjet tona u injoruan”, tha ai.



Lajme të ngjashme