Premierligë – Tottenham shkarkon argjentinasin Pochettino për portugezin Mourinho

Në më pak se një vit që prej shkarkimit nga drejtimi i Manchester United, trajneri Jose Mourinho gjeti një tjetër stol në kampionatin anglez, i cili e kthen atë në Londër, por këtë herë te Tottenham.

1309766
Premierligë – Tottenham shkarkon argjentinasin Pochettino për portugezin Mourinho

Drejtuesit e klubit londinez vendosën të shkarkojnë argjentinasin Mauricio Pochettino mbrëmjen e së martës, ndërsa pak më vonë njoftuan përmes një komunikate zyrtare se në vendin e tij në stol do të ulet Jose Mourinho.

Pochettino e drejtoi Tottenham-in për gati 5 sezone e gjysmë duke arritur rezultate mjaft të mira, ku përfshihet edhe një finale në Ligën e Kampionëve, por skuadra bëri një fillim shumë të keq këtë sezon duke arkivuar vetëm 14 pikë në 12 ndeshje.

Tottenham bëhet kështu skuadra e tretë angleze që drejtohet nga Jose Mourinho, i cili do të bëjë debutimin në stolin e “Spurs” të shtunën në orën 13:30, me sfidën në fushë kundërshtare përballë West Ham-it.

Ndërkohë, sipas komunikatës së publikuar nga klubi londinez, Tottenham-i dhe Mourinho kanë nënshkruar një kontratë që do t’i mbajë të lidhura palët deri në qershorin e vitit 2023 duke konfirmuar besimin reciprok për fillimin e një projekti afatgjatë.



Lajme të ngjashme